Vazhdon gjykimi për rastin “Banjskë”, dëshmon polici Mirsad Kryeziu

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka filluar seanca e radhës gjyqësore në rastin “Banjskë” ndaj tre të akuzuarve.
Sot dëshminë e tij do ta jap zyrtari policor Mirsad Kryeziu.
Në seancën e 9 prillit, tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, ndërkaq dëshmitar ishin dy policët kosovarë, Alban Rashiti dhe Çlirim Shaqiri.
Rashiti kishte mbetur i plagosur nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kurse Shaqiri kishte pësuar lëndime atë kohë.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast, si rezultat i dhunës së përdorur, ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku, e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe 40 të akuzuarit e tjerë ka, fletarrest ndërkombëtar, pasi ndodhen në arrati. /Telegrafi/











































