Varroset Papa Françesku

Papa Françesku është varrosur, ka bërë të ditur Zyra e Shtypit e Vatikanit në një deklaratë zyrtare.
Ceremonia e varrimit, e cila u zhvillua në një atmosferë të mbyllur dhe të përmbajtur, u mbajt në Bazilikën madhështore të “Santa Maria Maggiore” në Romë.
Sipas njoftimit, shërbesa zgjati rreth gjysmë ore dhe u karakterizua nga një solemnitet i thellë, duke respektuar traditën dhe ritet shekullore të Kishës Katolike.
"Riti [i varrimit] u zhvillua në përputhje me parashikimet e Ordo Exsequiarum Romani Pontificis, dokumenti që përcakton procedurat liturgjike për varrimin e një Pape," thuhet në deklaratën e Vatikanit.
Ceremonia u drejtua nga Kardinali Kamerlengo, figura përgjegjëse për administrimin e përkohshëm të Kishës gjatë periudhës së vakantit apostolik, dhe u ndoq vetëm nga personat e përcaktuar në njoftimin përkatës të Zyrës së Celebrimeve Liturgjike, si dhe nga familjarë dhe të afërm të Papës së ndjerë.
Sipas Vatikanit, ceremonia përfundoi rreth orës 13:30 me orën lokale, duke i dhënë kështu lamtumirën përfundimtare një prej figurave më të dashura dhe më të respektuara të historisë së fundit të Kishës Katolike. /Telegrafi/























































