Njëra nga dy urat e reja që u ndërtua mbi lumin Ibër është hapur sot për qarkullim të veturave duke shënuar një moment të rëndësishëm për qytetin e Mitrovicës dhe qytetarët e saj.

Qindra qytetarë kanë mirëpritur me entuziazëm këtë zhvillim duke mos i fshehur emocionet e tyre.


Naser Rashiti, i cili kaloi mbi urën e re, tha: “Kjo është shumë kënaqësi, kur e shohim pa pengesë. Dalin shlirë, kthehen shlirë. Nuk kanë pengesë... Kjo është kënaqësi”.

53a1cae3 ff0a 4ec5 97fc a37837d0fcdd e1756217054655 Naser Rashiti, qytetar

Edhe Skender Peci njëri nga qytetarët e Mitrovicës tha se urat nuk bëjnë dëme, ato sjellin vetëm dobi në komunitet.

01473495 01dd 4fa0 9154 60203f21af86 e1756217089463 Skender Peci, qytetar

“Po urat dëm kurrë s'kanë bërë. Urat bashkojnë njerëzit, bashkojnë qytete, kalojnë edhe liqene, prej urave dëm s’ka kërrkush, veç dobi”, u shpreh Peci.

Edhe qytetari Agron Beqiri i cili është banor i lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë tha se ndjehet shumë i lumtur me ndërtimin dhe hapjen e urës së re për qarkullim.

803da4c7 ffb7 4e2c 88c9 f3a4d9d4308b e1756217116517 Agron Beqiri, qytetar

“Hap i mirë për banorët e lagjes, e për krejt qytetin...u bashku kjo pjesë këndej për me dalë me vetura këndej”.

Qytetarja Elheme Ibishi e cila shprehu emocion, kishte ardhur për ta shikuar urën e re nga afër.

65d3c655 127e 4fab 9c60 bd0f95078953 e1756217138385 Elheme Ibishi, qytetare

“Ne e kemi kuptuar realitetin. Sot jemi të emocionuar dhe kemi ardhë këtu për urimin e urës”.

Ndërsa, zëvendës drejtori i Policisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, Veton Elshani ka thënë se për dy muaj me radhë janë marrë masa sigurie për mbarëvajtjen e punimeve.

Veton Elshani, zv.drejtor i Policisë për veriun e Mitrovicës

“Kjo urë është hapë sot. Ka pasë punime për dy muaj rresht në këtë urë. Ne fillimisht kishim marrë masa që punimet të bëhen pa pengesa, që qytetarët mos me ardhë prej ‘Suedie’ edhe me pengu një punëtor duke punu aty. Në anën tjetër, kemi marrë masa tjera që mos me pasë ndonjë rast ku mundet me pasë ndonjë eksces, hedhje granate ose diçka të tillë, se i kemi pasë disa në veri të vendit”.

Elshani tha se në momentin kur është marrë vendimi që ura të hapet sot, janë larguar Njësitë Speciale që ishin të vendosura atje

“Tash i kemi policët e rendit, nuk presim ndonjë problem. Ura është urë, kalim me veturë nga pika A në pikën B, për policinë kaq është kjo. Në rast se ka ndonjë provokim, ne i kthejmë njerëzit mbas, merremi me ta dhe i trajtojmë si raste kriminale, nëse ka nevojë”.

Ai po ashtu ju bëri apel qytetarëve të Mitrovicës veriore dhe jugore që të kenë kujdes dhe të mos provokojnë.

https://youtube.com/shorts/Y-SAMvaZFos?si=hvEpAYg_T05hClun

“Të gjithë qytetarëve ju kemi dërguar mesazhe edhe përmes mediave që qytetarët e veriut nuk kanë nevojë me u brengosë. Ndërsa çojmë mesazh tek jugu dhe tek shqiptarët tjerë që kjo është urë dhe nuk është diçka tjetër, duhet pasur kujdes që mos me provoku. Ne jemi Policia e Kosovës në gjithë Kosovën, e sidomos në veri të vendit ku unë jam përgjegjës dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë shërbime për qytetarët e veriut të vendit”, tha Elshani.

Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, e qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.

Ura e re e cila u lëshua për qarkullim është e dedikuar për kalimin e veturave, ndërsa ura tjetër e cila është duke u ndërtuar vetëm për këmbësorë, e të dyja janë pranë urës kryesore.

Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro dhe kjo është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve. /Telegrafi/