LAJMI I FUNDIT:

UPSHIFT organizohet për herë të parë në Prishtinë

UPSHIFT organizohet për herë të parë në Prishtinë

“UPSHIFT: Social Impact Workshop” apo Punëtoria për Ndikim në Shoqëri është model dinamik që sjellë së bashku idetë, problemet, të rinjtë dhe metoda të ndryshme edukative dhe inovative për të dizajnuar dhe zgjidhur probleme të ndryshme shoqërore, të identifikuara paraprakisht nga të rinjtë. Pas tre edicioneve në regjione të ndryshme të Kosovës, UPSHIFT për herë të parë po organizohet në Prishtinë.

Edicioni i katërt i UPSHIFT-it do të mbahet në Komunën e Prishtinës nga 05-07 Shkurt 2016, ndërsa thirrja për të identifikuar problemet nga të rinjtë tashmë ka filluar dhe do të zgjasë deri më 28 Janar 2016. Përveç Prishtinës, në këtë punëtori të drejtë aplikimi kanë edhe të rinjtë nga Fushë Kosova dhe gjithë regjioni i Prishtinës.

Joshua Harvey, menaxher i Laboratorit për Inovacione i UNICEF-it në Kosovë, thekson se: “UPSHIFT Social Impact Workshop është model i ri që vjen në Kosovë, i dizajnuar pikërisht nga të rinjtë, por edhe nga ekspertë ndërkombëtarë dhe stafi i Laboratorit”.

Me tej, Harvey nënvizon rëndësinë e kësaj punëtorie duke thënë se “Laboratori për Inovacione i UNICEF-it në Kosovë vazhdon të sjellë mundësi të shkëlqyeshme për të rinjtë kosovarë, që përmes talentit të tyre të kontribuojnë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme shoqërore, por edhe që të fitojnë aftësi dhe eksperienca të reja që do t’ju ndihmojnë në të ardhmen”. Përveç në Kosovë, UPSHIFT është pilotuar edhe në shtete tjera të botës, duke përfshirë Vietnamin dhe Malin e Zi.


Edicioni i kaluar i UPSHIFT-it është mbajtur në Komunën e Suharekës, në Tetor të 2015-tës, duke sjellur projekte jashtëzakonisht kreative, interesante dhe me ndikim pozitiv në komunitetet prej nga vijnë këto projekte.

"Ne si të rinjë të Komunës së Lipjanit, duke parë si problem mungesën e bashkëpunimit ndërmjet të rinjëve të komuniteteve të ndryshme, vendosëm që të aplikojmë në UPSHIFT për zgjidhjen e këtij problem. Pas aplikimit, ekipi ynë u ftua që të marrë pjesë në puntorinë tre ditore dhe pas një pune të gjatë ekipore arritëm që të dalim njëri nga ekipet fituese. Gjatë punëtorisë UPSHIFT perveç që mësuam shumë teknika dhe metoda në lidhje me dizajnimin dhe menazhimin e projektit, ne gjithashtu u njohëm edhe me rëndësinë e të punuarit në grup. Një tjetër element që e vlerësoj shumë është mundësia që patëm për tu njohur me të rinjtë tjerë nga komunat tjera, duke krijuar, kështu, shoqëri të re dhe duke ndarë së bashku çaste të mrekullueshme.” Thekson Kastriot Luma nga projekti “Open For All”, njëherit njëri nga fituesit e edicionit të tretë të UPSHIFT-it. Kastrioti, së bashku me ekipin e tij, kanë organizuar me dhjetëra punëtori dhe aktivitete tjera në shkolla, të cilët kanë trajtuar çështjen e dialogut interkultural ndërmjet të rinjëve nga komunitete të ndryshme që jetojnë në Komunën e Lipjanit.

Ndërkaq, Arbenita Bungu nga projekti “Professional Development”, tregon për karakteristikat e UPSHIFT-it: “Shumë punë, motiv, optimizëm, momente të lumtura, shkëmbim eksperiencash nga shumë të rinjë; kjo ishte ajo që e karakterizoi punëtorinë UPSHIFT.” Më pas, Bungu tregon se si punëtoria UPSHIFT e ka inspiruar dhe shtyrë që të jetë pjesë e ndryshimeve pozitive në Kosovë: “Vetëm aty pata mundësinë të shoh se si bashkëmoshatarët e mi mundohen me çdo kusht të gjejnë zgjidhje për problemet që na rrethojnë. Pashë se neve na duhet vetëm pak shtytje dhe unitet për të arritur deri te ndryshimet e mëdha. Ndikimi më pozitiv në jetën time nga kjo punëtori ishte nxitja për t’u marrë me aktivitete tjera të ngjashme me të. UPSHIFTI ka ngjallur në mua një dëshirë dhe synim; të bëhem pjesë e ndryshimeve.”

Ndërsa ekipi i Laboratorit për Inovacione të UNICEF-it në Kosovë tashmë ka filluar një kampanjë informuese për të rinjtë duke vizituar shumë shkolla dhe qendra rinore anembanë Prishtinës, por edhe përmes rrjeteve sociale. Valon Nushi, koordinator i punëtorisë tregon se “numri i të rinjve të interesuar është tejet i madh dhe se është mbresëlënëse të shohësh se si të rinjtë arrijnë të identifikojnë probleme të ndryshme që ballafaqohen çdo ditë dhe përmes metodave dhe teknikave të ndryshme të gjejnë zgjidhje kreative”.

“UPSHIFT Social Impact Workshop” është i hapur për të gjithë të rinjtë e nga regjioni i Prishtinës dhe fshatërave përreth, ndërmjet moshës 15-24 vjeç. Ndërsa, dhjetë ekipet e përzgjedhura do të konkurrojnë për pesë çmimet e para, të cilat do të financohen për një periudhë 3-mujore pas punëtorisë, për ta zhvilluar më tutje idenë dhe projektin e tyre.

Thirrja për aplikim është e hapur deri më datën 28 Janar 2015 dhe të gjithë të rinjtë të interesuar duhet të aplikojnë duke e plotësuar formën e aplikimit në linkun në vijim: bit.ly/upshiftKS
“UPSHIFT Social Impact Workshop” në Kosovë organizohet nga Laboratori për Inovacione në Kosovë (Innovations Lab Kosovo). Ndërsa mbështetet nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, Agjencioni Austriakë për Zhvillim, ING Bank dhe implementohet nga organizata jo-qeveritare “PEN”.

Të rejat më të fundit në lidhje me punëtorinë dhe kampanjën informuese mund të gjenden në faqen zyrtare të Facebook-ut: www.facebook.com/kosovoinnovations.

Ndërkaq, edicioni i tretë i UPSHIFT-it mund të shihet përmes këtij dokumentari të shkurtër: http://bit.ly/UPSHIFTvideo