Nga transmetimi publik deri te gjyqësori i pavarur, këto janë gjërat për të cilat duhet të luftojmë për t’i ruajtur.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com


Si mund t’i mbrojmë demokracitë tona nga ata që duan t’i shkatërrojnë? Flasim shumë për strategjitë për t’i mbajtur jashtë pushtetit populistët nacionalistë anti-liberalë, por përdorimi i përditshëm i topit për prishje, nga Donald Trump, tregon se është po aq e rëndësishme të forcosh demokracinë tënde që ajo të mund t’i rezistojë një periudhe kur populistët janë në pushtet.

Gjermania ka një koncept të quajtur wehrhafte Demokratie, që shpesh përkthehet çuditshëm si “demokraci militante”, por që në të vërtetë do të thotë një demokraci e aftë për t’u mbrojtur. Nën këtë moto, disa në Gjermani po propozojnë ndalimin e partisë Alternativa për Gjermaninë [Alternative für Deutschland - AfD], e cila tani është një nga partitë më të njohura në vend. Kjo është rruga e gabuar. Kjo vetëm do t’ua forconte mbështetësve të kësaj partie, të djathtë ekstreme, bindjen se vetë shteti demokratik është një lloj konspiracioni elitist liberal dhe do t’ia jepte AfD-së aurën e martirizimit. Gjithashtu, dukshëm po dështon eksperimenti francez i një “harku republikan”, ku pothuajse të gjitha partitë e tjera bien në ujti vetëm për të mbajtur jashtë Tubimin Kombëtar [Rassemblement National] të Marine Le Penit. Një gamë kaq e gjerë partish, siç pritej, nuk arrin të pajtohet për reformat urgjente që duhen bërë, dhe Tubimi Kombëtar mund të vazhdojë të kritikojë nga jashtë. Andaj, ia vlen të merret parasysh shembulli i Holandës, ku partia e populistit provokues Geert Wilders, u lejua të hynte në pushtet në një qeveri koalicioni, dështoi të japë rezultate, rrëzoi qeverinë duke u tërhequr nga koalicioni dhe humbi zgjedhjet pasuese (edhe pse ngushtë) ndaj një partie liberale të udhëhequr nga i riu dinamik, Rob Jetten.

Por, nëse do të rrezikosh për të lejuar populistët në qeveri, duhet më parë të forcosh mbrojtjet e demokracisë tënde - përndryshe ata do ta përdorin demokracinë për të shkatërruar vetë demokracinë - ashtu siç ka bërë Viktor Orbán në Hungari dhe siç po përpiqet të bëjë Trumpi në ShBA. Copë pas cope, këto demokraci dikur liberale bëhen ajo që shkencëtarët politikë e quajnë një sistem autoritar elektoral. Zgjedhjet ende ekzistojnë, por nuk janë të lira dhe të ndershme.

Ja disa gjëra që ia vlen të merren parasysh nëse dëshironi ta bëni demokracinë tuaj të papërshkueshme nga populizmi:

Përfaqësimi proporcional

Sistem dypartiak ku fituesi i merr të gjitha, siç është ai në ShBA - dhe që në masë të madhe ende ekziston në Mbretërinë e Bashkuar në Uestminster, pavarësisht fragmentimit të fundit të peizazhit politik - mund të jetë i dobishëm derisa një populist nacionalist nuk merr kontrollin e njërës prej dy partive të mëdha, siç ka bërë Trumpi. Pastaj bëhet më keq. Më mirë është të kesh përfaqësim proporcional, në mënyrë që populistët të kufizohen nga partnerët e koalicionit - si në Holandë dhe pjesën më të madhe të Evropës kontinentale.

Administrimi i zgjedhjeve

Ndoshta çështje teknike, por kjo ka rëndësi. Sistemi jashtëzakonisht arkaik i ShBA-së, në të cilin secili prej 50 shteteve ka procedurat e veta të ndryshme, është një ftesë e përhershme për manipulime të zonave zgjedhore, shtypje të votuesve dhe për të gjitha marifetet e tjera të pista, të cilat republikanët janë qartësisht të vendosur t’i përdorin përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të vjeshtës së ardhshme.

Transmetuesi publik

Sfera e përbashkët publike që na nevojitet për demokracinë, po gërryhet kudo nga fragmentimi dhe polarizimi i njëkohshëm që vjen si rezultat i versionit kapitalist amerikan të revolucionit dixhital. Ka pak zgjidhje të lehta për këtë. Megjithatë, nëse keni një transmetues të besuar publik, si në Britani, Kanada, Australi, Gjermani ose Skandinavi, duhet të mbaheni fort pas tij, të siguroni më tej pavarësinë e tij redaksionale, t’ia dyfishoni buxhetin dhe të rrisni praninë e tij në rrjetet sociale. Fakti që Britania po bën të kundërtën, duke minuar BBC-në - ndoshta transmetuesin më të respektuar publik në botë - është thjesht një shembull tjetër i aftësisë së pashtershme të këtij vendi për të dëmtuar veten në aspektin kombëtar.

Pronësia e mediave

Censura është diçka e vjetruar. Autokrati modern kontrollon fjalën përmes pronësisë. Në Turqi dhe Hungari, oligarkët që janë miq të liderëve i zotërojnë mediat kryesore. Në shikim të parë, mund të duket si pluralizëm i përsosur mediatik; por, prapa kësaj maske, realiteti është krejtësisht ndryshe. Është pothuajse e pamundur të formulohet një rregull i përgjithshëm për këtë. Pronësia e huaj, për shembull, ka qenë mallkim për gazetarinë britanike (mendo për Rupert Murdochun), por një bekim për mbrojtjen e demokracisë në disa vende post-komuniste (për shembull, si televizioni TVN në Poloni). Është çështje që varet nga rrethanat.

Gjyqësori i pavarur

E dukshme, por jetike. Kaosi gjyqësor në Poloni, sot, ku koalicioni qeverisës po konteston legjitimitetin e gjyqtarëve të emëruar nga qeveria e mëparshme populiste, tregon se çfarë ndodh kur humbet shteti i së drejtës. Gjermania përjetoi kohët e fundit një incident katastrofik, ku kandidatura e një studiuesi juridik të majtë-liberal, për një vend në Gjykatën Kushtetuese - tashmë e miratuar nga Komisioni ndërpartiak Parlamentar - u sabotua nga një grup konservatorësh rebelë. Ashtu si sulmet ndaj BBC-së, kjo është pikërisht gjëja e gabuar që duhet bërë kur populistët janë në prag të pushtetit. Ndryshe nga Gjykata Supreme e ShBA-së, Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar e ka ruajtur reputacionin e saj për paanshmëri. Por, kur ministri në hije i Drejtësisë, Robert Jenrick, tund parukën e gjyqtarit para konferencës së partisë së tij, duke denoncuar gjyqtarët aktivistë të majtë, shohim që kërcënimi në stilin e Trumpit nuk është larg.

Neutraliteti i shërbimit civil

Projekti 2025 i Fondacionit “Heritage”, pjesa më e madhe e të cilit po zbatohet nga administrata Trump, rekomandon në mënyrë eksplicite vartësinë e shtetit administrativ ndaj ekzekutivit. Ndoshta më shqetësuesja është se kjo tashmë po ndodh në Departamentin e Drejtësisë të ShBA-së, ku qindra zyrtarë ose janë pushuar nga puna ose kanë dhënë dorëheqjen. Kanë pasuar aktakuzat ndaj kritikëve të zëshëm, si John Bolton, James Comey dhe Letitia James.

Monarkia kushtetuese

Po qeshni? Por, kur u pyet nga Yascha Mounk në podkastin e tij The Good Fight, se si mund të mbrojmë më mirë demokracitë liberale, konstitucionalisti komparativ i njohur amerikan, Tom Ginsburg, përmendi në mënyrë të papritur përparësitë e një monarkie kushtetuese. Populistët anti-liberalë pretendojnë se flasin në emër të kombit, por nëse keni një monark kushtetues që është përfaqësuesi më i lartë, i padiskutueshëm dhe jopartiak i kombit, atëherë ajo hapësirë është të paktën pjesërisht e zënë. Nuk po sugjeroj që ShBA-ja të rikthejë ndonjë nga pasardhësit e Xhorxhit III (edhe pse një princ rezervë britanik është i qasshëm në Los Anxhelos), por nëse rastësisht keni një monarki kushtetuese, si Britania, Suedia apo Holanda, ruajeni - sepse në praktikë, në mënyrë paradoksale ajo është mburojë për demokracinë.

Mund të përmendja shumë fusha të tjera, si shërbimet e sigurisë, ushtrinë, universitetet dhe marrëdhëniet incestuale, neo-oligarkike midis parasë së madhe dhe politikës. Në secilin rast, përgjigjet specifike kombëtare do të jenë të ndryshme, dhe asnjëra prej tyre nuk do të jetë e lehtë. Ndihmon të kesh dispozita të detajuara në një kushtetutë të vështirë për t’u ndryshuar, por ajo që James Madison e quajti në mënyrë të paharrueshme - në [botimin] Federalist Paper 48 - si “barriera e pergamenës”, nuk është garanci në vetvete. Nevojitet që ne, njerëzit, të mobilizohemi për t’i mbrojtur ato. Kur isha në Pragë muajin e kaluar, miqtë e mi çekë po përgatiteshin të mbronin televizionin dhe radion e tyre publike - në rrugë, nëse do të ishte e nevojshme.

Sepse, ajo që është ashiqare e dhimbshme është se, sapo të humbasësh ndonjërin prej këtyre mekanizmave thelbësorë të kontrollit dhe ekuilibrit, është shumë e vështirë t’i rikthesh ato. Shkatërrimi është shumë më i lehtë se ndërtimi. Mjafton të shikoni çfarë ka ndodhur sot në Poloni - dhe çfarë do të ndodhë nesër në ShBA. Për demokracinë liberale, ashtu si për shëndetin, parandalimi është më i mirë se kurimi. /Telegrafi/