UBT ofron 20 për qind bursë në programin Master në Shëndet dhe Aktivitet Fizik për punonjësit shëndetësorë dhe sportistët

UBT po ofron një mundësi shumë të vlefshme për profesionistët e fushës së shëndetit dhe sportit.
Me bursën prej 20 për qind në programin Master në Shëndet dhe Aktivitet Fizik, punonjësit shëndetësorë dhe sportistët kanë mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre akademike, të zhvillojnë aftësi praktike dhe të përfitojnë nga një qasje e avancuar multidisiplinare për të adresuar sfidat komplekse të shëndetit dhe mirëqenies.
Ky program është i konceptuar për të integruar në mënyrë të balancuar aktivitetin fizik, sportin, ushqyerjen dhe stilin e jetës, duke u fokusuar në promovimin e shëndetit personal, parandalimin e sëmundjeve kronike dhe rehabilitimin pas gjendjeve të ndryshme shëndetësore.
Qëllimet kryesore të programit përfshijnë:
- Edukimin e avancuar mbi përfitimet e aktivitetit fizik dhe sportit për shëndetin publik,
- Zhvillimin e qasjeve të bazuara në prova për menaxhimin e sëmundjeve kronike, promovimin e mirëqenies mendore dhe fizike, si dhe përfshirjen e të gjitha grupmoshave në programe të përshtatura shëndetësore,
- Përgatitjen e profesionistëve për të dizajnuar dhe zbatuar programe të personalizuara shëndetësore sipas kushteve, popullatës dhe nevojave sociale,
- Promovimin e kohezionit social përmes sportit dhe aktivitetit fizik, duke kontribuar edhe në qëndrueshmërinë komunitare në kohë krizash apo emergjencash,
- Nxitjen e kërkimeve shkencore dhe inovacionit në shkencat e sportit, rehabilitimit dhe shëndetit publik.
Studentët e këtij programi do të fitojnë:
Njohuri të thelluara për analizimin e profilit shëndetësor të popullatave dhe treguesve vitalë, si jetëgjatësia dhe prevalenca e sëmundjeve.
Aftësi praktike për të hartuar, zbatuar dhe monitoruar programe të aktivitetit fizik për grupe të ndryshme moshe dhe gjendjesh shëndetësore.
Ekspertizë në përdorimin e metodave moderne të stërvitjes dhe rehabilitimit, të përshtatura për individë me nevoja të veçanta.
Kompetenca për të vlerësuar kritikisht hulumtimet shkencore, duke siguruar qasje të bazuara në prova për përmirësimin e shëndetit publik.
Programi Master në Shëndet dhe Aktivitet Fizik në UBT është ndërtuar sipas kurrikulave bashkëkohore dhe standardeve ndërkombëtare, me mundësi për specializime në fusha si:
- Aktiviteti fizik për grupmosha të ndryshme dhe të moshuarit,
- Aktiviteti fizik në sëmundje kronike dhe paaftësi,
- Ndërmjetësimi dhe kohezioni social përmes sportit,
- Kërkim shkencor dhe inovacion në shëndet dhe sport.


















































