U përfol si kandidat për president, Lushtaku: PDK nuk ka votë për Andin Hotin

Ka përfunduar mbledhja e Grupit Parlamentar të PDK-së në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për çështjen e presidentit.
Pas kësaj ka folur deputeti Mërgim Lushtaku, i cili tha se qëndrimi i tyre është i njëjtë.
“Qëndrimi ynë është i njëjtë, kemi qenë pro që të kemi një kandidat konsensual për president, por deri më tani nuk kemi. Kemi qenë me zemër që nëse është dikush nga familja Jashari të jemi për, por e pamë rrjedhojën dhe e respektojmë”, tha Lushtaku.
Sa i përket përfoljes së emrit të Andin Hotit si kandidat i mundshëm i LVV-së për president, Lushtaku tha se nuk kanë votë për të.
“Andin edhe që e kam pasë koleg por dihet që ai është vartës dhe është në Vetëvendosje dhe nuk kemi votë për to”, tha ai, duke shtuar se nuk do të qëndrojnë në sallë kur të mbahet seanca për presidentin.
Lushtaku tha se PDK ka treguar se është e gatshme me jep emrin për president, por vetëm nëse ka marrëveshje ose përafrim të qëndrimeve . /Telegrafi/



















































