Sot është mbajtur një akademi nderimi dhe mirënjohjeje kushtuar veprimtarit të shquar dhe udhëheqësit të Lëvizjes Kombëtare (OMLK), Mehmet Hajrizi.

Reklama

Në këtë akademi u tha se Lëvizja Kombëtare u formua nga bashkimi i organizatave atdhetare dhe u vulos me gjakun dëshmorëve Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla.

Kryetari i BDI Ali Ahmeti ka përkujtuar rolin e lëvizjes në luftën për çlirimin e Kosovës, duke thënë se ajo në vazhdimësi u bë më e fortë përballë regjimit serb.

“Të gjitha lëvizjet pas vendosjes së regjimit ushtarako-policor, një pas një bijë të shumtë shuheshin, por lëvizja që lindi që u brumos, që u krijua në platformë, e cila krijoi vazhdimësinë deri në fillimin e kryengritjes së armatosur së UÇK-së. Këto themele, gurthemeltarë të kësaj lëvizjeje ishin Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, por gurthemeltarë të parë ishin Kadri Zeka e Rexhep Mala, Rafi Halili dhe në vazhdimësi pas rënies së grupit të studentëve, pas rënies së organizatorëve, drejtuesve të protestave 1981, kur të gjithë mendonin se lëvizja jonë s’do të ri-ngrihet, ajo u bë më e fortë me Rexhep Malën që doli nga burgu dhe zuri vendin e organizatorëve të demonstratave të vitit 191, bashkë me Nuhi Berishën, Kadri Osmanin që përsëri me forcë dhe më të fortë e ngritën lëvizjen”, tha Ahmeti.

Reklama
Reklama

Bashkëveprimtari i Mehmet Hajrizit, njëherësh deputeti Hydajet Hyseni ka folur për jetën dhe veprimtarinë e Mehmet Hajrizit.

“Për veprimtarinë e Mehmet Hajrizit në lëvizjen tonë nuk është shkruar as përafërsisht sa duhet shkruar… Mehmeti nxënës ishte dukshëm i dalluar në mësime, sjellje dhe lexim. Plenumi i Brioneve dhe rënia e Rankoviqit siç dihet entuziazmoi me të drejtë shqiptarët e shtypur e të diskriminuar. Mirëpo Rankoviqi u shkarkua, por nuk u dënua, por vetëm ndërroi lëkurën. Adem Demaçi e sa e sa të tjerë ende mbaheshin në burg…Shpërtheu nëntori pranveror ‘68 që siç parashikohej nuk ka për t’u ndalur deri te zgjidhja e çështjes shqiptare…Midis bërthamave të Lëvizjes ishte edhe Mehmeti, atëherë student… Presioni i Serbisë shoviniste pa rezistencë adekuate të shqiptarëve, do ta defunksionalizonte edhe më shumë autonominë e Kosovës, edhe ashtu të kontrolluar. Grupi u konsolidua dhe u hartua platforma politike që pagëzua Grupi revolucionar. Ishte pjesë e lëvizjes, lëvizja ishte tërësia, grupet dhe organizatat ishin pjesë të lëvizjes…”, tha Hyseni.

Reklama
Reklama

Ndërsa poeti Agim Vinca në fjalën e tij ka evokuar kujtime nga takimi që ai kishte me veprimtarin Mehmet Hajrizi gjatë një mbrëmje letrare në vitin 1990.

“Në fjalën e tij nuk kishte fraza e propagandë, por mesazhe të rëndësishme, të cilat kishin poenta vazhdimin e luftës për liri. Nuk kishte asgjë nga heronjtë pozitivë skematik të romaneve realisto-socialist…”, tha Vinca.

Ndërsa veprimtari Mehmet Hajrizi ka evokuar kujtime nga veprimtaria e lëvizjes kombëtare për çlirimin e Kosovës.

“Të përkushtuar në një kauzë të përbashkët dhe fisnike, ne veprimtarët nuk mund dhe as do të duhej folur për veten në njëjës. Ne ishim shumës dhe rrëfimet janë në shumës gjithashtu. Asnjëri prej nesh nuk do të vlente i pa përplotësuar nga të tjerët, sepse vetë qëllimi ynë kërkonte angazhim kolektiv se trimi është i mirë me shokë shumë. Ora e historisë na thërriste të ishim në krye të detyrës së çështjes kombëtare. Në përgjigje të saj ne plot shend e verë, u hodhëm në ujin e rrëmbyeshëm më shumë nga vrulli rinor sesa nga pjekuria e profesionalizimi, u hodhëm për të mësuar artin e notit revolucion nacional-çlirimtar”, tha Hajrizi.

Reklama
Reklama

Në këtë akademi kryetari i shoqatave të familjeve të dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari ka ndarë një mirënjohje për Mehmet Hajrizin për veprimtarinë jetësore dhe luftën për çlirimin e Kosovës.

Mirënjohje veprimtari Hajrizi ka marrë edhe nga kryetari i Shoqërisë Lëvizja Xhevat Bislimi me motivacionin e përkushtimit, përpjekjes dhe veprimtarisë jetësore për çlirimin dhe bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë, nga banorët e fshatit Grashticë të Prishtinës për kontributin e dhënë për zhvillimin e shkollës shqipe, si dhe nga shoqatat e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Ndryshe, në fillim të viteve ’70-të, u formua organizata Grupi Revolucionar i Kosovës. Organizata një vit u udhëhoq nga Kadri Osmani dhe tetë vjet të tjerë, nga Mehmet Hajrizi. Ai u arrestua më 18 dhjetor 1981, ndërsa më 10 korrik 1982, bashkë me një grup veprimtarësh, u dënua me 12 vjet burg. Hajrizi ishte ndër figurat kryesore të delegacionit të Kosovës në konferencën e Rambujes.

Reklama