Turqia gjobit pasagjerët që heqin rripat e sigurimit shumë herët pas uljes së aeroplanit

Pasagjerët në aeroplanët në Turqi që i heqin rripat e sigurimit dhe dalin në korridor shumë herët pasi një aeroplan të ulet, tani përballen me gjoba sipas rregullores së re të lëshuar nga autoriteti i aviacionit të Turqisë.
Ligji i ri, i cili hyri në fuqi në fillim të majit, është një përpjekje për të ndaluar pasagjerët që përpiqen të shmangin radhët për të zbritur nga aeroplani duke i hequr rripat e sigurimit, duke marrë çantat e tyre dhe duke u drejtuar për në dalje para se kapiteni të fikë shenjën e rripit të sigurimit, transmeton Telegrafi.
Drejtoria e përgjithshme e autoritetit të aviacionit civil të Turqisë thotë se ka marrë ankesa për njerëz që e shkelin këtë rregull, dhe konfirmoi në inspektimet në bord se shumë pasagjerë nuk po i përmbahen.
Vetë rregullorja nuk specifikon shumën e gjobës, por transmetuesi turk Halk TV raporton se është 2,603 lira - rreth 67 dollarë ose 60 euro.
Ligji i aviacionit në shumë vende i ndalon pasagjerët të heqin rripat e sigurimit dhe të ngrihen ndërsa shenja e lidhjes së rripit të sigurimit është ndezur - edhe pas uljes dhe kur aeroplani po ecën në mënyrë të sigurt drejt portës.
Por në praktikë gjobat zbatohen kryesisht për pasagjerët që prishin qetësinë ose pinë duhan në tualet. Sipas ligjit të ri të Turqisë, një gjobë mund të vendoset edhe nëse pasagjerët shtyhen drejt daljes pasi shenja e rripit të sigurimit është fikur, edhe pse pasagjerët në rreshtat përpara tyre nuk janë ende gati.
Prandaj, linjave ajrore u është dhënë udhëzimi të bëjnë njoftimin e mëposhtëm: "Mos u ngritni ose mos ecni nëpër korridor derisa të vijë radha juaj për të dalë nga aeroplani".
Linjat ajrore që nuk i zbatojnë këto kërkesa mund të përballen gjithashtu me gjoba administrative. Mediat turke kanë raportuar se Turkish Airlines u ka dërguar tashmë informacionin përkatës asistentëve të fluturimit. /Telegrafi/

















































