Ministri i Jashtëm i Bosnjë e Hercegovinës, Elmedin Konakoviq deklaroi se Turqia kohët e fundit është bërë një superfuqi në politikën globale.

Në konferencën e tij vjetore për mediat, Konakoviq vlerësoi rrugën dhe zhvillimet e politikës së jashtme të vendit të tij.


Ai e përshkroi marrëdhënien midis Turqisë dhe Bosnjë e Hercegovinës si "fantastike" dhe falënderoi presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe ministrin e Jashtëm Hakan Fidan.

Duke iu referuar Takimit të Dytë të Ministrave të Jashtëm të Platformës së Paqes në Ballkan, të mbajtur në Stamboll nën kryesinë e ministrit Fidan, Konakoviq deklaroi: "Turqia është një superfuqi. Pas zhvillimeve në Siri dhe në rajon, Turqia ka dalë plotësisht në plan të parë në skenën ndërkombëtare dhe është bërë një nga partnerët më të rëndësishëm të SHBA-së".

"Organizimi i këtij eventi nga Fidan dhe vendimi i presidentit Erdogan për të na kushtuar kohë pavarësisht axhendës së tij të ngjeshur, duke iu drejtuar secilit vend një e nga një, tregon qartë rëndësinë që Turqia i jep Ballkanit Perëndimor. Turqia ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet dhe është ndërmjetës shumë efektiv në këto procese", tha Konakoviq.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, Konakoviq tha se këtë vit do të vendosin viza për shtetasit e një vendi, por që padyshim nuk do të jetë Turqia dhe se ai nuk e konsideron këtë realiste.

"Kjo nuk do të jetë Turqia. Nuk e shoh këtë si të mundur gjatë mandatit tim dhe kjo çështje nuk do të më prekë mua", shtoi ai.

Konakoviq theksoi gjithashtu se Turqia ka investuar më shumë në Bosnjë e Hercegovinë sesa në Serbi dhe se kjo ka forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve. /AA/