Zona e Pustecit po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët e huaj. Vitet e fundit, vizitorë nga Gjermania, Zvicra apo Kroacia kanë shfaqur interes të shtuar për bukuritë natyrore të Liqenit të Prespës, për kulinarinë tradicionale si dhe për mikpritjen karakteristike të zonës.

Sipas operatorëve turistikë lokalë, turistët mbërrijnë kryesisht në fundjavë, duke mbushur lokalet dhe bujtinat.


“Shumica vijnë në fundjavë, dhe më shumti pëlqejnë natyrën dhe liqenin. Është rritur numri i turistëve. Më shumë pëlqejnë tavën e Krapin”, shprehen operatorët.

Disa turistë gjermanë që janë ndalur për herë të parë në Prespë shprehen të surprizuar nga ajo që kanë gjetur.

“Vij nga Gjermania, është hera e parë në Shqipëri. Natyra këtu është fantastike. Njerëzit janë shumë mikpritës. Është vërtet shumë bukur këtu”, shprehen turistët.

Në funksion të rritjes së mëtejshme të turizmit, Bashkia e Pustecit ka nisur ndërtimin e një plazhi publik të pajisur me të gjitha kushtet. Ky investim synon të zgjerojë sezonin turistik dhe të rrisë ditët e qëndrimit të vizitorëve në zonë.

“Kjo erdhi si nevojë e shtuar e turistëve të cilët kohën e fundit kanë filluar të shtohen në zonët  e Pustecit. Kemi bërë një projekt që do të shtojë vlerat e zonës. Bërja e këtij plazhi rrit mundësinë që turistët të rrinë më shumë në bashkinë e Pustecit”, tha Pali Kolefski, Kryetar i Bashkisë Pustec.

Bashkia e Pustecit përbëhet nga 9 fshatra, 7 prej të cilëve kanë dalje direkte në liqenin e Prespës, duke e bërë këtë territor një thesar të natyrës ende të pazbuluar./rtsh