Tuberkulozi në Kosovë në rënie, diagnostikimi i hershëm mbetet kyç

Në Kosovë është shënuar Dita Botërore e Tuberkulozit. Autoritetet shëndetësore njoftojnë për një ulje të rasteve, por theksojnë se koha optimale për dyshim, diagnostikim dhe trajtim është ende nga 7 deri në 14 ditë. Megjithatë, tuberkulozi mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit shëndetësor në vend.
Përgjatë vitit të kaluar 517 persona janë diagnostikuar me tuberkuloz, numër që cilësohet se shënon në rënie krahasuar me vitet paraprake.
Ndërkohë që zyrtarisht nga viti 2000 janë evidentuar rreth 20 mijë pacientë të trajtuar nga kjo sëmundje që prek të gjitha grupmoshat.
“Tuberkulozi nuk njeh shkaktarë specifik, sigurisht gjendje e ulët ekonomike, ndikimet sociale, krizat e vazhdueshme, e bëjnë të vetën në rritjen e kësaj sëmundje, gjithashtu, nuk njeh as moshë, nuk njeh as gjini, vërehet në të gjitha grupmoshat”, thotë Majlinda Gjocaj, zyrtare e lartë për sëmundje ngjitëse, shkruan RTK.
Besim Morina, pulmolog thotë se simptomat para janë kolla, prezenca e sekretit me kollë, ethe, temperaturë.
Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se nga viti 2017 e deri më tani, janë blerë antituberkulare në vlerë prej 800 mijë eurosh, duke vënë në pah se po punojnë për qasje më të mirë në shërbime, duke synuar largimin e paragjykimeve për këtë sëmundje.
Arsim Berisha, zëvendësministër i shëndetësisë tregon se shërbimet për tuberkuloz në vendin tonë ofrohen në tri nivelet e kujdesit shëndetësor.




















































