“Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut i Forcave të Armatosura të Shqipërisë është renditur në vendin e tretë në botë, në garën “Cambrian Patrol” në Uells, e konsideruar si më e vështira në botë”.

Nëntoger Serxhio Salliu sapo është kthyer me ekipin që drejtoi në garën ndërkombëtare të mbrojtjes, ku Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut u shpërblye me medalje të bronztë. Sfida finale në Uells zgjati 48 orë në terren të ashpër, ndërsa sipas efektivit të FA, më të vështirë e bënte fakti që secili prej tyre duhet të mbante një peshë të rëndë në trup.


“Pesha nga 45 deri në 50 kilogramë që e kishim për të patrulluar në distancë të gjatë, në kushte të vështira atmosferike. Momenti më i vështirë, kalimi i pengesës ujore dhe rënia në kontakt, skenar të improvizuar nga ushtria britanike”, Nëntoger Serxhio Salliu, Regjimenti i Këmbësorisë së Jugut, FA.

Përpara garës me 122 trupa ndërkombëtare, trupa shqiptare është stërvitur në disa zona të vendit për skenarë të ndryshëm ushtarakë: navigimi në terren, ndërhyrje e shpejtë, dhënia e ndihmës së parë e deri te situatat e improvizuara luftarake.

“Ne jemi stërvitur në disa vende të ndryshme në zonën e Beratit, Bizë dhe Kosovë dhe përfundimtarja në Angli me palën angleze. Jemi stërvitur për skenarë të ndryshëm që pritej t’i kishim gjatë garës“.

Mungesa e njohjes së terrenit, siç thotë nëntoger Salliu, ishte disavantazh për trupat e huaj që garojnë krah britanikëve vendas. Mes vështirësive, momentin më të bukur ai veçon ngritjen e flamurit kombëtar krah kombeve me ushtritë më elitare në botë.

“Ishte një ndjenjë krenarie për të gjithë ekipin, ia dolëm që të merrnim medaljen e bronztë”.

Nëntoger Serxhio Salliu është prej 5 vitesh pjesë e Forcave të Armatosura.

“Më ka tërhequr disiplina, puna, bashkëpunimi në grup“.

Ndërsa objektivi i FA mbetet rekrutimi i të rinjve dhe forcimi i kapaciteteve njerëzore./Tv Klan