Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Qëndrimi i ri i drejtpërdrejtë i presidenti të ShBA-së, Donald Trump, ndaj homologut të tij rus, Vladimir Putin, synon ta detyrojë Kremlinin të përfundojë luftën në Ukrainë. Por, një pasojë tjetër e pakos së masave që Trumpi shpalli këtë javë është se ajo mund t’i japë fund aleancës toksike të regjimeve despotike që është formuar me synimin e qartë për të goditur Perëndimin.


Mbështetja që Rusia ka marrë nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, që nga nisja e “operacionit të posaçëm ushtarak” të Putinit në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, ka vënë në pah thellimin e bashkëpunimit mes shteteve autokratike që kanë si objektiv parësor sfidimin e epërsisë perëndimore.

Varësia e thellë e Kinës ndaj naftës ruse - të cilën e blen me çmime shumë më të ulëta se ato të tregut global - kontribuon ndjeshëm në financimin e angazhimit luftarak të Putinit. Pekini ka ofruar gjithashtu mbështetje teknike për luftën e Rusisë, duke e furnizuar me dronë shumë të nevojshëm dhe gjysmëpërçues kritikë për pajisjet ushtarake.

Edhe Irani ka ofruar dronë dhe raketa për të mbështetur ofensivën e Kremlinit në Ukrainë, ndërsa “partneriteti strategjik gjithëpërfshirës” që Putini arriti me Pjonjangun vitin e kaluar, ka çuar në dërgimin e trupave koreano-veriore në Ukrainë për të mbështetur luftën e Rusisë.

Njoftimi i Trumpit, në këtë javë, për një pako të gjerë sanksionesh që synon vendet që vazhdojnë me tregtinë me Moskën, pritet të ketë ndikim të thellë mbi këtë “koalicion të shenjtë të autokracive” që kërkon të minojë Perëndimin.

Frustrimi në rritje i Trumpit ndaj refuzimit të Putinit për ta trajtuar seriozisht planin e armëpushimit të Uashingtonit, e ka shtyrë liderin amerikan të autorizojë një pako të re me armë për Ukrainën - përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot. Ai gjithashtu po kërcënon me vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj çdo vendi që vazhdon të bëjë biznes me regjimin represiv të Putinit - nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës brenda 50 ditëve.

Dhe, pikërisht kjo masë e fundit - me llafet në Uashington për tarifa që lëvizin nga 100 për qind në 500 për qind - do të ndezë alarmin në Pekin, Pjonjang dhe Teheran mbi zgjuarsinë për ruajtjen e lidhjeve me Putinin.

Ky është një kërcënim që ka potencialin të shkaktojë dëme të mëdha në ekonominë ruse, duke kufizuar ndjeshëm aftësinë e Putinit për të vazhduar luftën në Ukrainë. Për më shumë, kjo mund t’i japë fund aleancës së brishtë midis disa prej regjimeve më despotike të botës - një koalicion që u formua më shumë nga nevoja sesa nga ndonjë interes i vërtetë për objektiva të përbashkëta.

Bindja e Putinit se ekonomia ruse është mjaftueshëm e fortë për të përballuar masat e mëtejme ndëshkuese nga ShBA-ja dhe aleatët e saj, bazohet në faktin që sanksionet e vendosura fillimisht ndaj Moskës - pas pushtimit të Ukrainës - nuk patën efektin e dëshiruar.

Edhe pse ekonomia ruse është goditur rëndë nga këto masa - me norma të dyfishuara interesi dhe inflacioni - ajo megjithatë ka arritur të mobilizojë burimet e nevojshme për të financuar përpjekjet luftarake të Putinit. Kjo kryesisht për shkak të ardhurave të qëndrueshme që vijnë nga vendet si Kina e që janë të gatshme të blejnë naftë dhe gaz rus pavarësisht sanksioneve.

Sanksionet dytësore që synojnë vendet që vazhdojnë të tregtojnë me Rusinë, ndryshe nga masat e drejtpërdrejta ndaj Moskës, do ta tronditin seriozisht këtë sistem, pasi është shumë pak e mundur që aleatët e supozuar të Moskës të pranojnë të përballojnë kostot ekonomike vetëm për të ruajtur marrëdhëniet me Kremlinin.

Presidenti kinez, Xi Jinping, reagoi ndaj kërcënimit më të fundit të Trumpit për tarifa duke theksuar se Moska dhe Pekini do të forcojnë “mbështetjen e ndërsjellë në platformat shumëpalëshe”, pasi të dyja shtetet “po vendosin një model për një lloj të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare”. Megjithatë, me Kinën që po përballet me fundin e "mrekullisë ekonomike", mbetet e diskutueshme nëse Xi realisht dëshiron që vendi i tij të përballojë edhe më shumë trysninë ekonomike.

Marrëdhënia e Pekinit me Moskën ka qenë gjithmonë e njëanshme, me Kinën që ka shfrytëzuar vështirësitë ekonomike të Rusisë në favor të vet. Shumëkush nga rrethi i ngushtë i Xisë e shohin Rusinë si pak a shumë një stacion i dobishëm gazi.

Edhe Irani ka arsye për t’u ndier i pasigurt në këtë aleancë. Pavarësisht paktit të mbrojtjes që Putini nënshkroi së fundmi me Teheranin, ai nuk bëri asgjë për të mbrojtur regjimin iranian kur u përball me sulmet nga Izraeli dhe nga ShBA-ja.

Aktualisht, ajatollahët kanë mjaft probleme të brendshme, përpara se të rrezikojnë përkeqësimin e tyre duke tërhequr sanksione të tjera nga ShBA-ja. Edhe koreano-veriorët, forcat e të cilëve kanë pësuar humbje të rënda duke luftuar në mbështetje të Rusisë, me gjasë po pyesin nëse ia vlen të vazhdojnë një aleancë që u shkakton aq shumë dhimbje dhe aq pak përfitim.

Kërcënimi i Trumpit për sanksione të reja mund të synojë ta detyrojë Putinin të ulet në tryezën e negociatave. Por, gjithashtu, mund të çojë në shpërbërjen e një aleance autokratike e cila, në të vërtetë, nuk ka pasur kurrë një qëllim të përbashkët - përveç se t’ia vështirësojë jetën Perëndimit. /Telegrafi/