Trump vendos tarifa prej 50 për qind ndaj Brazilit shkaku i një procesi gjyqësor

Presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për të vendosur një tarifë shtesë prej 40 për qind mbi importet braziliane, duke e ngritur normën totale në 50 për qind, sipas Shtëpisë së Bardhë.
Lideri amerikan kishte paralajmëruar më parë formalisht këtë tarifë duke i dërguar një letër presidentit brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, ku e bëri të qartë se tarifat do të hynin në fuqi nëse Brazili nuk ndërpret procesin gjyqësor kundër ish-presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro.
Letra përmendte se nëse gjyqi kundër Bolsonaro nuk ndalohet, do të aktivizohet tarifa e rëndë prej 50 për qind. Bolsonaro, i cili ka përmendur lidhjet e tij me Trumpin, po ndjek proces penal për përpjekje grushti shteti ndaj Lulas, raporton cnn.
Urdhri ekzekutiv argumenton se qeveria braziliane po kryen “abuzime serioze të të drejtave të njeriut”, duke penguar sundimin e ligjit në vend, përmes persekutimit politik, intimidimit, censurës dhe ndjekjes ndaj Bolsonaros dhe shumicës së mbështetësve të tij.
Në të njëjtën ditë, SHBA-ja vendosi edhe sanksione ndaj gjyqtarit brazilian Alexandre de Moraes, duke i ngrirë asetet në SHBA dhe ndaluar entitete amerikane të bëjnë biznes me të – pas paralajmërimeve për kufizime vizash.
Rastet e para të këtyre tarifave ishin zhvilluar mbi bazën e një shkalle fillestare 10 për qind në muajin prill të vitit 2025, ndërsa tani politika komunikohet si "reciproke", edhe pse amerikanët kanë pasur suficit tregtar me Brazilin.
Brazili është zotuar se do të përgjigjet me masa reciprociteti, në përputhje me Ligjin e Ri të Reciprocitetit Tregtar që u miratua më parë këtë vit. /Telegrafi/




















































