Trump thotë se udhëheqësit evropianë janë “të dobët” teksa flet për migracionin - përmend Suedinë, Parisin dhe Londrën

Donald Trump ka thënë se udhëheqësit evropianë janë “të dobët” në një sulm të jashtëzakonshëm ndaj disa prej aleatëve më të ngushtë të Uashingtonit.
Presidenti amerikan i tha POLITICO-s në një intervistë se vendet evropiane “në rënie” nuk kishin arritur të kontrollonin migracionin ose të ndërmerrnin veprime për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke vënë në pikëpyetje aleancat e vjetra të Amerikës.
Ai theksoi se dallimet ideologjike tani kërcënonin të prishnin lidhjet e ngushta të Uashingtonit me vendet evropiane, shkruan The Telegraph.
I pyetur nëse udhëheqësit e huaj që shihen si të dobët mund të jenë ende aleatë, Trump tha: “Varet”.
Ai nisi një sulm të ri kundër Sadiq Khan, duke e quajtur kryetarin e Bashkisë së Londrës një “katastrofë” i cili “zgjidhet sepse kaq shumë njerëz kanë ardhur”.
Trump u pyet nëse mesazhi i tij ishte një "mesazh dashurie të ashpër" për partnerët evropianë, apo nëse i sheh ata “si të dobët”.
“Mendoj se janë të dobët”, u kundërpërgjigj ai. “Por gjithashtu mendoj se ata duan të jenë kaq politikisht korrektë. Mendoj se nuk dinë çfarë të bëjnë”.
Trump gjithashtu e kritikoi Parisin gjatë një fjalimi mbi migracionin në Evropë dhe e përqeshi Suedinë si një "vend mjaft të pasigurt".
"Nëse e shikoni Parisin, është një vend shumë i ndryshëm", tha ai, duke shtuar: "Nëse e shikoni Londrën, keni një kryetar bashkie me emrin Khan. Ai është një kryetar bashkie i tmerrshëm. Ai është një kryetar bashkie i paaftë, por është një kryetar bashkie i tmerrshëm,...”.
"Mendoj se ka bërë një punë të tmerrshme. Londra është një vend tjetër. E dua Londrën... Dhe urrej ta shoh të ndodhë".
Ai shtoi se nuk do ta merrte në konsideratë përfshirjen e tij në zgjedhjet evropiane, por do të mbështeste kandidatët - edhe nëse kjo rrezikon të shkaktojë reagime të ashpra.
"... Kam mbështetur njerëz, por kam mbështetur njerëz që shumë evropianë nuk i pëlqejnë. Kam mbështetur Viktor Orbán [të Hungarisë]".
Komentet e tij pasuan kritikat ndaj Evropës në strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së të publikuar javën e kaluar.
Ajo e cilësoi Evropën si të “mbirregulluar” dhe tha se po përballet me "fshirje qytetërimi", një narrativë që përputhej me partitë e ekstremit të djathtë.
Në anën tjetër, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se dokumenti i Shtëpisë së Bardhë dukej të ishte një "provokim", ndërsa përsëriti se SHBA-të mbeteshin aleati më i ngushtë i Evropës.
Intervista vjen disa ditë pasi djali i Trump tha se babai i tij mund të "largohet" nga procesi i paqes në Ukrainë në një intervistë që shkaktoi alarm në Evropë.
Donald Trump Jr i tha Sky News se presidenti mund të largohet krejtësisht nga bisedimet sepse çështja ishte më pak e rëndësishme për amerikanët sesa "lufta" e babait të tij kundër karteleve të drogës. /Telegrafi/


















































