Trump për kongresisten me prejardhje somaleze në Minneapolis: Erdhi me asgjë, tani ka 44 milionë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sugjeruar që Departamenti i Drejtësisë të heton pasurinë e kongresistes demokrate Ilhan Omar, ndërsa administrata e tij po përballet me pasojat e vrasjes së demonstruesit Alex Pretti në Minneapolis.
Trump tha gjithashtu të hënën se po dërgon carin e tij kufitar, Tom Homan, në shtetin amerikan të Minesotës, i cili ka qenë dëshmitar i protestave që kur oficerët federalë të imigracionit qëlluan për vdekje Prettin, një infermier 37-vjeçar, të shtunën në mëngjes, transmeton Telegrafi.
"Tom është i ashpër, por i drejtë dhe do të raportojë drejtpërdrejt tek unë. Veçmas, një hetim i madh po zhvillohet në lidhje me mashtrimin masiv prej 20 miliardë dollarësh plus me ndihmën sociale që ka ndodhur në Minesota dhe është të paktën pjesërisht përgjegjës për protestat e dhunshme të organizuara në rrugë", shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.
"Përveç kësaj, Departamenti i Drejtësisë dhe Kongresi po shqyrtojnë 'kongresisten' Illhan Omar, e cila u largua nga Somalia pa asgjë dhe tani thuhet se ka më shumë se 44 milionë dollarë. Koha do ta tregojë gjithçka", shtoi presidenti amerikan.
Pasuria neto e Omarit është rritur në miliona dollarë vitet e fundit për shkak të pasurisë së bashkëshortit të saj të ri.
Por Trump më parë i kërkoi hapur Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi të hapte hetime ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
Javën e kaluar, Trump tha se Omar "duhet të hetohet për krime financiare dhe politike, dhe se hetimi duhet të fillojë tani".
Omar, e cila është me prejardhje somaleze, është një nga objektivat e preferuar të Trumpit, dhe ai shpesh përdor gjuhë islamofobike për ta sulmuar atë.
Kongresistja myslimane amerikane, distrikti i së cilës është i vendosur në Minneapolis, ka qenë një kritike e zëshme e politikave dhe retorikës së Trumpit, duke përfshirë sulmet e tij kundër komunitetit somalez.
Pasi Trump sulmoi Omarin dhe e quajti komunitetin somalez "mbeturina" muajin e kaluar, Omar e akuzoi atë se kishte një obsesion "të frikshëm" me të. /Telegrafi/




















































