Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione të fshehta brenda Venezuelës, një konfirmim i rrallë nga çdo udhëheqës amerikan në detyrë në lidhje me operacionet e agjencisë sekrete të spiunazhit.

Ky njoftim vjen pasi ushtria amerikane, në javët e fundit, ka kryer një seri sulmesh vdekjeprurëse kundër anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Karaibe, duke shkatërruar të paktën pesë anije që nga fillimi i shtatorit, të cilat kanë vrarë 27 persona.


Katër nga këto anije kanë ardhur nga Venezuela.

“Unë autorizova për dy arsye, në të vërtetë. Nr. 1, ata i kanë zbrazur burgjet e tyre në SHBA”, tha Trump.

"Dhe gjëja tjetër, drogat, kemi shumë droga që vijnë nga Venezuela.”

Trump tha se administrata “po shqyrton mundësinë e sulmeve tokësore” në rajon, por nuk pranoi të thoshte nëse CIA ka autoritetin për të ndërmarrë veprime kundër presidentit Nicolas Maduro.

Ky pranim i pazakontë vjen pas botimit të gazetës The New York Times se CIA ishte autorizuar të kryente veprime të fshehta në Venezuelë.

Maduro, kritikoi ashpër pjesëmarrjen e agjencisë amerikane të spiunazhit në konflikte të ndryshme në mbarë botën dhe bëri thirrje për paqe.

Bëhet e ditur se ai iu drejtua një aktiviteti televiziv të Këshillit Kombëtar për Sovranitet dhe Paqe, i cili përbëhet nga përfaqësues nga sektorë të ndryshëm politikë, ekonomikë, akademikë dhe kulturorë në Venezuelë, dhe tha në anglisht: “Jo luftë, po paqe, jo luftë. Ju lutem, ju lutem, ju lutem.”

Ai kritikoi CIA-n, duke kujtuar disa nga të kaluarat e saj: “Jo ndryshimit të regjimit që na kujton kaq shumë përmbysjet në luftërat e dështuara në Afganistan, Irak, Libi e kështu me radhë.”

Gjithashtu, Ministria e Jashtme e Venezuelës, në një deklaratë, hodhi poshtë ato që i quajti "deklarata luftarake dhe ekstravagante të presidentit të SHBA-së, në të cilat ai pranon publikisht se ka autorizuar operacione kundër paqes dhe stabilitetit të Venezuelës".

“Kjo deklaratë e paprecedentë përbën një shkelje shumë serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe e detyron bashkësinë e vendeve të denoncojë këto deklarata qartësisht të tepruara dhe të pakonceptueshme”, thuhet në deklaratë, të cilën Ministri i Jashtëm Yvan Gil e postoi në kanalin e tij Telegram.

Ndërkohë, veprimet kundër të ashtuquajturave kartele droge të Venezuelës po shkaktojnë trazira në Kongres midis anëtarëve të të dy partive kryesore politike.

Në fillim të këtij muaji, administrata Trump i shpalli kartelet e drogës si luftëtarë të paligjshëm dhe deklaroi se Shtetet e Bashkuara tani janë në një "konflikt të armatosur" me to, duke e justifikuar veprimin ushtarak si një përshkallëzim të nevojshëm për të ndaluar rrjedhën e drogës.

Ky veprim ka shkaktuar zemërim, me ligjvënësit që pretendojnë se Trump po kryente në mënyrë efektive një akt lufte pa kërkuar autorizimin e Kongresit. /Telegrafi/