Triumfi i Portugalisë U17 në Euro 2025: Një shembull i shkëlqyer i zhvillimit vendor

Me një paraqitje mbresëlënëse të talentit, punës ekipore dhe mjeshtërisë taktike, Portugalia fitoi titullin e Kampionatit Evropian U17 në vitin 2025 me një fitore dominuese 3-0 ndaj Francës në finalen e zhvilluar në Air Albania ne Tiranë.
Ajo që e bëri këtë sukses edhe më të veçantë ishte fakti që çdo lojtar i skuadrës portugeze vinte nga klubet e kampionatit vendas.
Në një kohë kur shumë talente të rinj tërhiqen nga akademitë e huaja që në moshë të vogël, suksesi i Portugalisë është një shembull i shkëlqyer se çfarë mund të arrijë një sistem i mirëorganizuar dhe i qëndrueshëm zhvillimi brenda vendit.
Një gjeneratë e artë nga toka e vet
Dominimi i Portugalisë gjatë gjithë turneut u kurorëzua me një finale ku ata e tejkaluan Francën – një fuqi e madhe tradicionale në futbollin e të rinjve – në çdo aspekt: teknikisht, taktikisht dhe psikologjikisht.
Rezultati 3-0 nuk ishte rastësi, por pasqyrim i kohezionit dhe cilësisë së ndërtuar për vite me radhë në akademitë moderne të futbollit në Portugali.
Ky triumf nuk është rast i izoluar. Portugalia, një vend me pak më shumë se 10 milionë banorë, vazhdon të prodhojë futbollistë të klasit botëror dhe të rivalizojë kombet më të mëdha.
Çdo vit, klubet portugeze nxjerrin talente premtuese - dhe is shesin për shuma marramendëse - që më pas shpërthejnë në kampionatet më të forta të Evropës. João Félix, Rafael Leão, Bruno Fernandes dhe Rúben Dias janë vetëm disa nga emrat që u formuan në shtëpi përpara se të bëhen yje në arenën ndërkombëtare. Pa përmendur Cristiano Ronaldon.
Sistemi portugez: Cilësi përpara sasisë
Sekreti i suksesit? Portugalia ka investuar në cilësi përpara sasisë. Plani kombëtar i zhvillimit është i organizuar, i bashkërenduar dhe mbështetet nga Federata Portugeze e Futbollit (FPF), e cila bashkëpunon ngushtë me klubet për të harmonizuar metodat e trajnimit, skautimin dhe edukimin e futbollistëve të rinj. Të rinjtë portugezë marrin trajnim cilësor, akses në infrastrukturë moderne dhe, më e rëndësishmja, mundësi reale për të luajtur dhe për t’u zhvilluar në mjedise konkurruese.
Nuk bëhet fjalë vetëm për talent të lindur – sistemi portugez formon lojtarë inteligjentë, me një teknikë shumë të lartë dhe të përshtatshëm për futbollin modern. Qëllimi nuk është vetëm të fitosh në grupmoshat e reja, por të krijosh futbollistë të përgatitur për elitën ndërkombëtare.
Një dëshmi për reputacionin e sistemit të zhvillimit por dhe të skautimit të Portugalisë është fakti që edhe lojtarë të rinj nga vende të tjera po zgjedhin akademitë portugeze për të ndërtuar karrierën e tyre. Aktualisht, dy lojtarë të rinj shqiptarë janë pjesë e akademive në Portugali: Dijar Ferati te Rio Ave dhe Leka Podvorica te FC Famalicão. Njëri u soll nga Suedia, e tjetri nga SHBA. Kjo tregon se si edhe të huajt e vlerësojnë sistemin portugez për cilësinë dhe qasjen serioze ndaj zhvillimit të futbollistëve.
Një kontrast i fortë: Rasti i Shqipërisë
Në anën tjetër ishte Shqipëria, vendi mikpritës i turneut, që përjetoi një edicion zhgënjyes: tre ndeshje, tre humbje dhe një golavarazh 0:12. Megjithëse Shqipëria duhet përgëzuar për organizimin e një turneu kaq të rëndësishëm të UEFA-s – një hap i madh për një komb të vogël – rezultatet në fushë nxorën në pah mangësi serioze në sistemin e zhvillimit të futbollit.
Pavarësisht se ka një bazë të gjerë përzgjedhjeje falë diasporës së madhe – përfshirë lojtarë nga Kosova dhe trojet tjera shqipfolëse – Shqipëria nuk arriti të shfaqë nivel konkurrues.
Për krahasim, baza përzgjedhëse e Shqipërisë ka popullatë më të lartë se popullata Portugalia. Ajo që bie më shumë në sy është fakti që asnjë lojtar i vetëm nuk u përzgjodh nga kampionati vendas. Kjo bie në kontrast të plotë me Portugalinë, e cila mbështeti plotësisht talentin e zhvilluar brenda vendit.
Kjo na çon drejt një pyetjeje thelbësore: Si është e mundur që një komb me kaq shumë burime njerëzore të mos arrijë të ndërtojë një skuadër konkurruese të moshave?
Çfarë mund të mësojë Shqipëria nga Portugalia?
Nëse Shqipëria dëshiron të ecë përpara, modeli është aty – Portugalia. Mësimi kryesor është rëndësia e ndërtimit të një sistemi të fortë zhvillimi brenda vendit. Duke investuar në akademi lokale, trajnimin e trajnerëve dhe organizimin e kampionateve konkurruese për të rinj, Shqipëria mund të fillojë të mbajë dhe zhvillojë më shumë nga talenti i vet.
Mbështetja ekskluzive te diaspora mund të sjellë rezultate të pjesshme në ekipin A, por nuk është zëvendësim për ndërtimin e një kulture të qëndrueshme futbolli të brendshëm. Portugalia ka treguar se edhe një vend i vogël mund të prodhojë talente të nivelit botëror – nëse ekziston një sistem koherent, gjithëpërfshirës dhe i orientuar drejt së ardhmes.
Thirrje për veprim
Shqipëria tani ndodhet përballë një vendimi strategjik: të vazhdojë të mbështetet kryesisht te diaspora, apo të nisë një rrugëtim të vështirë por të domosdoshëm për të ndërtuar një sistem vendas që prodhon lojtarë cilësorë. Me frymëzimin e triumfit të Portugalisë U17 dhe mësimet e qarta nga dështimi në këtë turne, ky është momenti për të reflektuar dhe për të vepruar.
Në fund të fundit, nëse një vend me vetëm 10 milionë banorë mund të ndërtojë një nga sistemet më të mira të zhvillimit të futbollit në botë – atëherë pse jo edhe Shqipëria? Mjafton vullnet, vizion dhe përkushtim për një të ardhme më të ndritur në futboll.
Shkruan: Ylli Rama








































