Derbi i xhiros së 21-të në Superligën e Kosovës në basketboll ka përfunduar në favor të kampiones në fuqi, Trepçës.

Skuadra mitrovicase triumfoi të shtunën mbrëma ndaj Sigal Prishtinës me rezultat të ngushtë 86:84, në një duel shumë dramatik që u vendos në sekondat e fundit të takimit.


Për Trepçën kjo fitore vjen në vazhdën e një forme të shkëlqyer, pasi vetëm pak ditë më parë ajo e fitoi edhe Kupën e Kosovës duke e mposhtur Bashkimin në finale. Njëkohësisht, kjo ishte fitorja e 12-të radhazi për mitrovicasit në kampionat.

Prishtina e nisi më mirë ndeshjen duke e fituar çerekun e parë 22:18, por Trepça reagoi shpejt dhe e mori çerekun e dytë me shifrat 27:19 për ta kthyer ekuilibrin para pushimit.

Pas rikthimit nga pushimi, skuadra kryeqytetase ishte më e mirë në periudhën e tretë, të cilën e fitoi 23:16. Megjithatë, në dhjetëminutëshin vendimtar Trepça tregoi më shumë qetësi dhe efikasitet, duke e fituar 25:20 për rezultatin përfundimtar 86:84.

Më i dalluari te Trepça ishte Shawn Jones me 16 pikë, gjashtë kërcime dhe një asistim, ndërsa kontribut të rëndësishëm dha edhe Kenneth Hasbrouck me 12 pikë, tri kërcime dhe nëntë asistime.

Në anën tjetër, Alex Lomax pati paraqitjen më të mirë te Prishtina me 24 pikë, shtatë kërcime dhe shtatë asistime.

Për Sigal Prishtinën kjo ishte humbja e 13-të e sezonit, krahas tetë fitoreve të regjistruara deri më tani./Telegrafi/

telegrafi sport app