Trençevska: Qeveria refuzoi të fshijë afatin pesëvjeçar për konfiskimin e pronës së fituar përmes krimit

Nënkryetarja dhe deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska, akuzoi koalicionin OBRM-PDUKM-ZNAM se ka refuzuar të gjitha amendamentet e paraqitura nga LSDM në Kodin Penal në seancën e sotme dëgjimore të komisionit, përfshirë propozimin për kthimin e nenit 353 – keqpërdorim i pozicionit dhe autoritetit zyrtar, në formën para amendamenteve të vitit 2023.
Sipas Trençevskës, arsyeja për këtë vendim është e qartë, me zgjidhjet aktuale ligjore, siç tha ajo, nuk ka llogaridhënie të vërtetë në fushën më kritike, që janë tenderët. Ajo vlerësoi se pa një nen 353 të fortë dhe efikas, koalicioni qeverisës lë hapësirë që paratë shtetërore të shpërndahen në kompani të mbyllura, pa frikë nga sanksionet.
Trençevska informoi se amendamenti me të cilin LSDM kërkoi fshirjen e periudhës pesëvjeçare për konfiskimin e pronës së fituar me krim u refuzua gjithashtu, duke theksuar se është e papranueshme që prona e vjedhur nga qytetarët të mos mund të konfiskohet pavarësisht nga koha kur është fituar.
"Drejtësia me një afat kohor nuk është drejtësi", tha ajo.
Si pikë të tretë kundërshtimi, Trençevska deklaroi se shumica qeverisëse refuzoi të vendoste rregulla të rrepta dhe të qarta për funksionimin e sistemit "Safe City", i cili do të fshinte të dhënat dhe regjistrimet dixhitale brenda 48 orëve, dhe qasja në to do të ishte e mundur vetëm me urdhër gjykate.
Sipas saj, një zgjidhje e tillë lë hapësirë për abuzime dhe për shndërrimin e Ministrisë së Brendshme në një instrument partiak për monitorim, presion dhe shantazh ndaj qytetarëve./Telegrafi/




















































