LAJMI I FUNDIT:

Tre parimet që u ngulën si gozhda në Munih

Tre parimet që u ngulën si gozhda në Munih
Ilustrim

Një video amatore me celular nga Konferenca e Munihut, na shfaqi një lider të vërtetë që edhe ata që nuk e donin, e dëgjonin me vëmendje: Albin Kurtin përpara një tavoline me ballkanas dhe perëndimorë, duke mbrojtur në fakt ato parime që i ka artikuluar me kohë.

Shumë shqiptarë, andej dhe këndej kufirit, si rrallëherë panë një “stof” politikani tjetër nga ata që janë mësuar të shohin përditë, me dinjitet dhe plot me mendim e peshë e mbi të gjitha vizion.


Për sa i përket dialogut me Serbinë, për shumë politologë e gazetarë, pjesa më e vështirë në rrugëtimin e Albinit si kryeministër, ai foli për tre parime që ngelën si gozhda jo vetëm në atë sallë.

Albin Kurti tha: “Jo marrëveshje pa dialog, jo dialog me harta dhe jo harta me presidentë rreth tyre”.

Kisha kaq kohë që dëgjoja nga dashamirës dhe jo-dashamirës të tij kur thoshin: “Si do t’ia bëjë Albini kur ndonjë nga këshilltarët e Trumpit, t’i vërë hartën e ndarjes së Kosovës në tavolinë e t’i thotë firmos”!

Kjo ishte një pyetje e vështirë, por e pamë që u bë një pyetje e lehtë: Jo marrëveshje pa dialog, jo dialog me harta. Nuk ka perëndimor e amerikan në botë ta kundërshtojë.

Dhe, më tej kur foli për taksën dhe riartikuloi tezën e reciprocitetit, zgjidhi sërish një pyetje të vështirë (në fakt e kishte zgjidhur me kokë).

Me të njëjtën lehtësi do të rrëzojë, në mos e ka rrëzuar dhe të ashtuquajturin “Shengen Ballkanik”.

Me Albinin, pyetjet e vështira do të vazhdojnë të bëhen të lehta, sepse përgjigjet në këtë rast nuk i japin as kulisat, as i, as pazaret, por parimet, që falë Zotit këtë herë artikulohen jo thjesht nga një lider patriot, por nga një lider me brumë, vizion e me një epërsi dije të dukshme më së paku në krahasim me liderët e tjerë të Ballkanit.

E mbani mend për shembull sa të vështira i kishte përgjigjet presidenti Thaçi apo edhe gazetari Baton Haxhiu në studiot televizive?

Njëherë thoshin nuk është ndarje, është korrigjim; pastaj do të shkëmbejmë territor, por nuk ka ndarje; pastaj nuk ka ndarje në bazë etnike, është një muhabet tjetër; multietnicitetin do e ruajmë; nganjëherë thuhej që presidentin e kanë përkthyer keq nga anglishtja; pastaj dilte vizorja, njëherë 30 kilometra brenda, një herë 30 kilometra jashtë Mitrovicës e të tjera e të tjera si këto…

U, se harrova, a e mbani mend sa të vështirë e kishin t’i jepnin përgjigje pyetjes se, e kujt ka qenë ideja e ndarjes?! Sfilitje e vërtetë!

Përkundrazi, shikoni sa të lehtë e pati Albini, edhe pse rruga do të jetë më e gjatë. /Syri/