Totaj në Zhur: Pas ujit 24 orë, investimet do të shumëfishohen në mandatin e ri

Në një tubim të madh të mbajtur në Zhur, Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka premtuar rritje të mëtejshme të investimeve gjatë mandatit të ri, duke theksuar rezultatet e arritura në katër vitet e fundit.
“Gjatë këtyre katër vjetëve kemi investuar që Zhurit dhe gjithë Komunës së Prizrenit t’i sigurojmë furnizim me ujë 24 orë, rrugë moderne dhe infrastrukturë përcjellëse. Këto investime do të shumëfishohen në mandatin e ri”, tha Totaj.
Ai u shpreh se dallimi me kundërshtarët politikë qëndron te puna e bërë.
“Të tjerët i kanë llafet, ndërsa ne u grahim punëve. Punët tona flasin më shumë se çdo fjalë”.
Nga Zhuri, të cilën e cilësoi si vatër të arsimit, dijes dhe lëvizjeve të mëdha kombëtare, Totaj dërgoi mesazhin e “fitores që po vjen më 12 tetor”.
“Fitorja po vjen dhe do të jetë fitorja e punës, zhvillimit dhe përparimit për secilin qytetar”, përfundoi ai.

















































