Nga: Rikki Schlott / New York Post
Përkthimi: Telegrafi.com

TikTok tani është në pronësi të shumicës së aksionerëve që nuk janë kinezë dhe ka një bord drejtues me shumicë amerikane - dhe tani është koha që ata t’u tregojnë prindërve se janë të zotët, duke ofruar më shumë transparencë dhe mbrojtje më të forta për të miturit.


Aplikacioni është pjesë e pandashme e jetës së adoleshentëve amerikanë, por mënyra se si funksionon dhe kush e kontrollon ende mbetet një mister. Aksionerët e rinj të TikTok-ut - Oracle, Silver Lake dhe MGX tani zotërojnë nga 15 përqind secili, ndërsa kompania kineze ByteDance mban vetëm 19.9 përqind - duhet të kërkojnë që fëmijët të mbrohen nga algoritmet tepër të personalizuara dhe që llogaritë e tyre të jenë të mbrojtura me siguri maksimale.

Rreziku është i madh. Dyqind milionë amerikanë janë në TikTok, sipas kompanisë, dhe 63 përqind e adoleshentëve amerikanë e përdornin platformën që nga viti 2024.

Para së gjithash, adoleshentët nuk duhet të ekspozohen ndaj algoritmeve tepër të personalizuara në faqen e tyre “Për Ty” [For You Page]. Është shumë e lehtë të biesh në situatë të pakëndshme në rrjetet sociale; mjafton një shfletim i paktë i përmbajtjes politike apo për dietat. Pa e kuptuar, je i zhytur në ideologji ekstreme ose bëhesh i fiksuar pas peshës trupore.

Kur je nën moshën 18 vjeç, ende je duke formuar identitetin dhe bindjet e tua. Gjëja e fundit që të duhet është një përforcim i vazhdueshëm me ide të caktuara nga një algoritëm i përshtatur që ta ngushton botën përreth pasigurive apo prirjeve tua politike.

Për hir të së vërtetës, TikTok-u lejon vetëm përdoruesit mbi 13 vjeç, dhe ndër vite ka prezantuar një sërë kontrollesh prindërore - përfshirë kufizime kohe, filtra për përditësimin e përmbajtjes dhe kontrolle për komentet dhe mesazhet. Gjithashtu, përmbajtja e postuar nga personat nën 16 vjeç nuk u rekomandohet të huajve. Megjithatë, ata munden dhe duhet të bëjnë më shumë.

Të rriturit e panjohur nuk duhet të kenë mundësi të shohin asgjë që poston një i mitur nën 18 vjeç - sidomos nëse algoritmi disi dyshon që ata mund të pëlqejnë përmbajtje të një fëmije të mitur.

Llogaritë e adoleshentëve janë automatikisht private, por mund të bëhen publike me një ndryshim të thjeshtë në faqe. Nuk ka asnjë arsye pse një i mitur duhet të ketë llogari publike.

Aktualisht ka një kufi kohe prej 60 minutash për adoleshentët, por ai mund të çaktivizohet lehtësisht. Kjo nuk duhet të ndodhë.

Madje, mund të merret në konsideratë edhe shkurtimi i këtij kufiri kohor. Raportohet se të rinjtë në Kinë janë të kufizuar në vetëm 40 minuta në ditë në Douyin - versioni i TikTok-ut për Kinën.

Dy vjet më parë, TikTok-u u kritikua kur u zbulua se Douyin-i kishte disa mbrojtje për të miturit kinezë - përfshirë kufizime më të rrepta dhe promovim të përmbajtjes edukative dhe sociale - ndërsa adoleshentët amerikanë përballeshin me një lloj të Perëndimit të Egër.

Versioni i TikTok-ut që është i qasshëm në ShBA ka marrë me të drejtë kritika duke qenë bastion i videove seksuale, informacioneve të dëmshme për shëndetin mendor, madje edhe përmbajtjeve që lidhen me çrregullimet e të ngrënit.

“Skinnytok” ishte një kënd i veçantë i aplikacionit, para se të vihej në shënjestër. Para disa vitesh, FDA-ja [Administrata e Ushqimit dhe Barnave] u detyrua t’u kërkonte përdoruesve të TikTok-ut të ndalonin së gatuari mish pule me [ilaçin] NyQuil, pasi u bë trend në rrjetet sociale. Madje, pati raportime se fëmijë të vegjël kishin fituar nga aplikacioni reagime të ngjashme me sindromën e Turetit [Tourette].

Sigurisht, jo për gjithçka fajësohet TikTok-u. Fëmijët ndonjëherë janë të pamend dhe kjo vërtet është lojë me çekan [Whac-A-Mole] për të shtypur trendin e rrezikshëm të fundit ose zhargonin e algoritmeve për terma të ndaluar, por versioni kinez i aplikacionit bëri më shumë për ta kontrolluar situatën dhe për të mbrojtur fëmijët.

TikTok-u ka funksionuar për vite me radhë në një shtet që është një armik i huaj, duke nxitur shqetësime se Kina kishte qasje te sytë, veshët dhe zemra e fëmijëve tanë përmes ekraneve të tyre. Shpresoj që tani ky shqetësim mund të zbutet.

Një zëdhënës i Sipërmarrjes së Përbashkët TikTok-USDS [Shërbimi Dixhital i Shteteve të Bashkuara] i tha “The Post”-it se ata do të “vazhdojnë ta bëjnë prioritet kryesor sigurinë e adoleshentëve”, duke vënë në dukje se kanë më shumë se 50 veçori të paracaktuara sigurie.

“Duke ditur që çdo adoleshent dhe çdo familje është ndryshe, ne gjithashtu vazhdojmë të ofrojmë mjete të lehta sigurie dhe privatësie, për t’u përdorur, që ndihmojnë prindërit të përshtatin përvojën për adoleshentët e tyre”, shtuan ata.

Nuk janë vetëm fëmijët dhe prindërit ata që meritojnë më shumë përgjigje. Tani që TikTok-u po hap një faqe të re dhe po lejon amerikanët të bëhen pjesë e radhëve të tij, ka ardhur koha që TikTok-u të jetë në anën e transparencës - në çdo aspekt.

Le të mësojnë të gjithë përdoruesit se çfarë të dhënash mblidhen për ta dhe si funksionojnë algoritmet. Me gjithë të metat e X-it, Elon Musku kishte të drejtë kur e bëri algoritmin me kod të hapur.

Jo më paqartësi rreth privatësisë. Jo më dyshime për ndalesa të fshehta, jo më dyshime se në peshore është gishti i një qeverie apo një grup me interesa të veçanta.

Për hir të fëmijëve, adoleshentëve, prindërve, amerikanëve dhe madje edhe joamerikanëve, kjo udhëheqje e re duhet të marrë në konsideratë mirëpritjen e një raporti të pavarur transparence.

Tregojuni përdoruesve atë që duhet të dinë. Jini të ndershëm. Dhe, nëse disa gjëra janë të shëmtuara, tregoni se çfarë do të ndryshojë. Transparenca është mënyra e vetme se si kompanitë e mëdha të teknologjisë [Big Tech] mund të rifitojë besimin e një publiku skeptik. /Telegrafi/