Tifozi i “Dardanëve”, Berat Rexha ka ndërruar jetë: Kujtohet si zëri kumbues i Kosovës në të gjitha stadiumet

Berat Rexha, përfaqësuesi i tifozëve “Dardanët” për Skoci, ka ndërruar jetë sot, duke lënë të pikëlluar komunitetin e futbollit në Kosovë dhe më gjerë.
Edhe pse larg atdheut, Berati gjeti mënyrën më të mirë të mundshme për të dhënë kontributin e tij për Kosovën, duke qenë përfaqësues i grupit të tifozëve “Dardanët” në Skoci, të cilët me organizimet e tyre mahnitën mbarë opinionin futbolldashës.
Për ikjen në amshim, kanë shkruar kryetari i FFK-së, Agim Ademi dhe kryesia e tifozëve “Dardanët”.
"E nderuara familje e Berat Rexhës! Të nderuar drejtues dhe anëtarë të grupit të tifozëve “Dardanët”!" "Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj dhe anëtarit të grupit të tifozëve “Dardanët”, Berat Rexha, andaj në këto momente të vështira për Ju, më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj".






















































