Tifozët në Kosovë po gjobiten me nga 500 euro për sharje dhe stërpikje me birra

Në futbollin kosovar, sjellja e tifozëve në stadiume po po ndëshkohet nga autoritetet. Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar dy raste të gjobave të rënda ndaj tifozëve në Gjakovë dhe Podujevë.
Një tifoz i Vëllaznimit të Gjakovës u ndëshkua nga policia me gjobë, pasi kishte ofenduar lojtarët e Prizrenit gjatë ndeshjes së zhvilluar në fushën pranë palestrës “Shani Nushi”.
Ai e pranoi se kishte sharë, por theksoi se nuk ishte i vetmi dhe se shumë tifozë të tjerë kishin vepruar njësoj.
“Në 2000 vetë, më kapi mu lotaria. Unë kom shajtë, po kanë sha edhe tjerët. Unë s’kom gjujt as kurgjo”, tha ai për Klan Kosova, duke shtuar se gjoba e rëndë e vendos në vështirësi për të mbajtur familjen, pasi paga e tij është më e vogël se dënimi i shqiptuar.
Ndërkohë, në Podujevë, gjatë derbit mes Llapit dhe Dritës, dy anëtarë të tifo-grupit “Intelektualët” u gjobitën nga policia me nga 500 euro secili.
Sipas reagimit të “Intelektualëve”, njëri prej tyre u ndëshkua vetëm pse kishte lag me birrë shokët në momentet e festës, ndërsa tjetri sepse reagoi ndaj policisë gjatë tensioneve në tribuna.
Si pasojë, sipas tyre, tribunat e tifozëve të Dritës mbetën bosh në minutat e fundit të ndeshjes.
Tifo-grupi nga Gjilani e ka quajtur këtë vendim të policisë “të paprecedentë dhe të patolerueshëm”, duke publikuar edhe fotografinë e dënimit prej 500 euro.
Këto raste kanë hapur debat mbi mënyrën e trajtimit të tifozëve në stadiumet kosovare dhe masat ndëshkuese që po aplikohen, të cilat po cilësohen nga ta si të rënda dhe të padrejta. Madje mund të humbet edhe numri i respektuar i tifozëve, që ishte në tri xhirot e para në stadiume. /Telegrafi/





















































