Tifozët e Interit nuk do të lejohen të blejnë bileta për tre ndeshjet e ardhshme jashtë fushe kundër Sassuolos, Lecces dhe Fiorentinës, pasi një nga tifozët e tyre hodhi një fishekzjarr që goditi portierin e Cremoneses, Emil Audero, të dielën.

Të martën, Ministri i Brendshëm italian njoftoi përmes Gazzetta dello Sport se tifozëve të Interit do t'u ndalohet hyrja në seksionet mysafire për tre ndeshjet e ardhshme të ekipit, ndërsa banorëve të Lombardisë do t'u ndalohet blerja e biletave.


Ndalesa është e vlefshme deri më 23 mars dhe do t’i lërë Nerazzurrët pa mbështetje si mysafir kundër Sassuolo, Lecce dhe Fiorentina.

Teknikisht, Interi do të jetë skuadra mysafire më 8 mars kundër rivalëve të qytetit, Milanos, por mbështetësit e Nerazzurrëve do të lejohen në San Siro pasi nuk do të ketë udhëtime tifozësh jashtë qytetit të Milanos për këtë ndeshje.

Vendimi erdhi pasi portieri i Cremoneses, Audero, u lëndua nga një fishekzjarr i hedhur nga ana e ekipit mysafir gjatë ndeshjes të së dielës kundër Cremoneses.

Ndeshja u ndërpre për disa minuta dhe portieri vazhdoi lojën pavarësisht një prerjeje dhe djegieje të vogël. Mediat italiane kanë raportuar se tifozi i Interit që hodhi fishekzjarrët është identifikuar dhe humbi tre gishta kur hodhi një fishekzjarrë të dytë menjëherë pas kësaj.

Interi mund të marrë sanksione të mëtejshme në nivel sportiv, pasi vendimet nga gjyqtari i FIGC-së do të shpallen nesër (e mërkurë). Sipas Calciomercato.com, ndëshkimi mund të përfshijë një gjobë dhe kufizime për tifozët e Interit, madje edhe për ndeshjet në shtëpi. /Telegrafi/

telegrafi sport app