LAJMI I FUNDIT:

TI DHE VETËM TI

TI DHE VETËM TI

Poezi nga: Paul Eluard
Përktheu: Roland Çipa

Dëgjoj të qeshurën tënde të fiksuar te bari.
Ti je ajo që më çon gjetiu.
Ti dhe vetëm ti!


Dhe në lartësinë e rreziqeve të vdekjes,
Mbi tokat e shkatërruara nga shiu i luginave,
Nën dritën e rëndë,
Nën qiellin e tokës,
Ti lind rrënimin.

Zogjtë nuk janë më një strehë e mjaftueshme,
As përtacia e as lodhja
Kujtoj pyjet, përrenjtë e brishtë.

Në mëngjesin e kapriçove,
Në mëngjesin e përkëdheljeve të paharruara,
Në mëngjesin e madh të mungesës,
Vjen rrënimi.

Barkat që shihnin sytë e tu,
Humbin rrugën në dantellat e zhdukjeve.

Humnera u zbulua,
Iu përket të tjerëve ta mbulojnë.
Hijet që ti krijove,
Nuk kanë të drejtën e natës.