LAJMI I FUNDIT:

​Thaçi thërret për unitet politik: Të bashkuar realizuam lirinë dhe pavarësinë, mund të jemi edhe pjesë e NATO-s, BE-së dhe OKB-së

​Thaçi thërret për unitet politik: Të bashkuar realizuam lirinë dhe pavarësinë, mund të jemi edhe pjesë e NATO-s, BE-së dhe OKB-së

Presidenti Hashim Thaçi, sonte ka organizuar pritje shtetërore me rastin e 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

I pari i vendit tha se sa herë që organizohen evente të tilla, kujtojmë heronjtë e Kosovës, dëshmorët e lirisë dhe qytetarët e Kosovës që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.


“Edhe liria dhe pavarësia e vendit u ndërtuan me mund, përpjekje dhe sakrificë. Me luftë, me unitet qytetarë, politik dhe institucional. Është meritë e secilit për tërë këto vite dhe më herët që kontribuuan në një formë a formën tjetër që të vijmë në këtë ditë të 12-vjetorit të pavarësisë. Prandaj, edhe një herë dhe kurdo që organizojmë evente të tilla, kujtojmë heronjtë e Kosovës, dëshmorët e lirisë, invalidët e luftës, veteranët. Kujtojmë diasporën për kontributin e tyre. Kujtojmë dhe respektojmë çdo qytetar të Republikës së Kosovës që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Presidenti Thaçi, tha se po punojnë maksimalisht edhe sa i përket perspektivës evropiane, por edhe anëtarësimit në NATO. Prandaj, sipas tij, sa më shpejt Kosova ta ketë liberalizimin e vizave kur vendi ka kryer të gjitha obligimet e veta që ka pasur për t’i kryer për zbatimin e kritereve demokratike.

Natyrisht shumë shpejt ai tha të ndodhë anëtarësimi edhe në Inerpol, në UNESCO dhe në OKB.

“Objektivë e gjithë neve, partive politike, shoqërisë civile, është që të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s. I tërë ky angazhim do të vazhdohet nga të gjithë, në një koordinim edhe më të mirë ndër institucional dhe me një klimë edhe më të mirë pozitë, opozitë. Vetëm unik e të bashkuar kemi realizuar deri më tani edhe lirinë edhe pavarësisë dhe mund të realizojmë edhe aspiratën e tretë që të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, në të ardhmen e afërt edhe pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Thaçi, raporton KosovaPress.

Të pranishëm në ceremoninë e pritjes shtetërore ishin kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti me kabinetin e tij qeveritar, deputetë të Kuvendit dhe mysafirë, ish -presidenti Fatmir Sejdiu dhe nga ambasadat e huaja të akredituar në vendin tonë. /Telegrafi/