LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Serbia synon aneksimin e veriut të Kosovës, sikurse Rusia Krimenë

Thaçi: Serbia synon aneksimin e veriut të Kosovës, sikurse Rusia Krimenë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se Beogradi po planifikon të “përvetësojë një pjesë të veriut të Kosovës, ashtu siç Rusia ka aneksuar Krimenë”.

Thaçi ka folur edhe problemin e fundit në mes Kosovës e Serbisë që u shkaktua me trenin që ilegalisht deshi të kalojë kufirin.


Ai e ka quajtur veprimin e Serbisë provokim me qëllim që më pas të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë dhe të aneksojë pjesën veriore të Kosovës.

“Qëllimet e Serbisë janë që të përdorë trenin, të dhuruar nga Rusia, fillimisht për ta shkëputur pjesën veriore të Kosovë dhe më pas t’ia bashkojë Serbisë. Është modeli i njëjtë si në Krime”, pohoi Thaçi, njofton Klan Kosova.

Reuters ka cituar edhe presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq, i cili pohoi se nëse sulmohen serbët në Kosovë, ai do të dërgonte ushtrinë menjëherë.

“Nëse janë duke uvrarë serbë, ne do të dërgojmë ushtrinë, të gjithë ne do të shkojmë. Edhe unë vet do të shkoj, nuk do të ishte hera ime e parë”, pohoi Nikoliq, i cili ishte ish-anëtar i partisë ultranacionaliste serbe të radikalëve dhe në vitet 90-ta kishte luftuar krah paramilitarëve në Kroaci.