LAJMI I FUNDIT:

Thaçi pas takimit me Mitchell: Askush nuk ka asnjë arsye që të vonojë votimin e demarkacionit

Thaçi pas takimit me Mitchell: Askush nuk ka asnjë arsye që të vonojë votimin e demarkacionit

Presidenti i vendit Hashim Thaçi në një konferencë për media së bashku me ndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, ka përsëritur se çështja e demarkacionit duhet të kryhet sa më shpejt.

Thaçi theksoi se gjatë takimit me Mitchell kanë folur për shumë çështje siç është dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë, transformimi i FSK-së në ushtri dhe anëtarësimi në NATO.


“Ishte takim miqësor dhe shumë konstruktiv. Z.Mitchell iu zotova se shteti i Kosovës është duke punuar vazhdimisht dhe shumë përgjegjshëm në rrugën e saj drejt BE-së. SHBA-të janë dhe do të mbesin partner strategjik i Kosovës dhe miq të përjetshëm”, ka thënë Thaçi.

Ai shtoi se pret që të mbyllet sa më shpejt çështja e demarkacionit.

“Shpresoj që partnerët koalicionit janë duke biseduar intensivisht me Listën Serbe dhe kjo çështje të përmbyllet në ditët e ardhshme”, u shpreh Thaçi, duke theksuar se askush nuk ka asnjë arsye që të vonojë votimin e demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, është interes strategjik dhe shtetëror.

Presidenti Thaçi theksoi se me Mitchell kanë diskutuar edhe për hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerr FSK-ja për shndërrim në FAK dhe anëtarësim në NATO

“Po ashtu folëm edhe për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova nuk do të lejojë asnjë formë të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve. Kosova po ashtu do të vazhdojë të jetë aktive dhe e pakompromis në luftimin e terrorizimit”, tha Thaçi. /Telegrafi/