Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbyllin kapitullin e armiqësive me një marrëveshje për normalizimin e raporteve reciproke.
Ai ka mbrojtur idenë e tij që marrëveshja përfundimtare me Serbinë t’i nënshtrohet edhe referendumit.
“Mendoj se përtej bartësve të institucioneve, përtej Qeverisë, përtej Kuvendit, duhet që kësaj radhe këtë marrëveshje ta përcjellim te vet sovrani përmes vullnetit të tij, pra populli i Kosovës. Dhe kjo mundësi duhet të ofrohet”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
Ai aktualisht po qëndron në Nju Jork, ku po zhvillon takime me përfaqësues ndërkombëtar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se edhe Kosova shumë shpejt do të ketë vendin e vet në këtë organizatë.
Zoti President, po qëndroni në Nju Jork ku po i zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Por, Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se i gjithë aktiviteti i juaj zhvillohet në margjinat e kësaj Asambleje. Atje, jeni takuar edhe me Shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Andaj, si e shihni ju vazhdimin e dialogut me Serbinë në kohën kur tash Kosova i ka më në fund të formuara edhe institucionet e reja?
Thaçi: Definitivisht dialogu në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, konkretisht të zonjës (Federica) Mogherini dhe mbështetjen e fuqishme dhe të drejtpërdrejtë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të marrë një dinamikë të re në agjendën e re për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, që do të nënkuptonte normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërshtetërore, dhe pajtimin në mes të popujve tanë.
Edhe këtu në Nju Jork, nën organizimin e zonjës Mogherini e kemi zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, (Aleksandar) Vuçiq, me të cilin diskutuam për formën, mënyrën dhe mundësitë e vazhdimit të dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, që do të nënkuptonte perspektivë të sigurt euroatlantike për Kosovën, që të jemi pjesë edhe e OKB-së, edhe të përshpejtohet procesi edhe për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, dhe natyrisht në kuadër të kësaj edhe perspektiva evropiane edhe e Serbisë.
Ka mbetur që të ketë takime edhe më të shpeshta dhe të ketë ide konkrete, të cilat do të rezultojnë me një marrëveshje të pranueshme për të dyja vendet dhe që të mund të kuptohet, interpretohet dhe të jetë realitet i fitores për Kosovën, për Serbinë dhe investimet e bashkësisë ndërkombëtare.
Keni përmendur referendumin në lidhje me rezultatet e këtij dialogu. Çfarë keni menduar me këtë referendum pasi që në Prishtinë ka rezerva rreth kësaj ideje?
Thaçi: Tash ne jetojmë në botën e demokracisë, pluralizmit politik dhe për çdo ide ka komente, ka opinione, ka vlerësime të ndryshme, të cilat unë si president i vendit, por edhe më herët, i vlerësoj lartë. Mendoj se njerëzit ende nuk janë mësuar se në Kosovë mund të organizohet referendum, por diçka e tillë do të mund të organizohet në një koordinim të plotë të institucioneve të vendit, duke respektuar mekanizmat kushtetues dhe ligjorë me një unitet të spektrit politik, të shoqërisë civile, të mediave dhe të gjithë njerëzve në Kosovë.
Marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të jetë marrëveshje historike, pas një problemi dhe konflikti për më tepër se një shekulli, në mes të vendeve dhe popujve tanë.
Prandaj, mendoj se kjo marrëveshje përfundimtare nuk duhet të mbetet peng i problemeve ditore politike, apo fushatave partiake politike, apo e një adrese të caktuar politike. Duhet të vihet mbi interesat e çdo partie, ideologjie, apo personaliteti në kuptimin e opinionit për këtë marrëveshje.
Mendoj se përtej bartësve të institucioneve, përtej Qeverisë, përtej Kuvendit edhe pse aty janë përfaqësuesit (e popullit) në Kuvend, duhet që kësaj radhe këtë marrëveshje ta përcjellim te vet sovrani përmes vullnetit të tij, pra populli i Kosovës. Dhe kjo mundësi duhet të ofrohet.
Po ashtu, Kosova nuk ka as Ligj për referendum, a nënkupton kjo se do të iniciohet ndërkohë një ligj i tillë?
Thaçi: Paraprakisht dëshiroj të theksoj se duhet të fillojë dialogu, pastaj të shohim gjatë procesit se si do të rrjedhin gjërat, dhe në rast të arritjes së marrëveshjes do të iniciohet nxjerrja e ligjit për referendum, për çështje të veçantë konkrete.
Zoti president, në çka konsiston edhe ideja e juaj për formimin e një ekipi të unitetit për bisedimet me Serbinë. Mendoni se mund ta përfshini edhe opozitën në këtë ekip?
Thaçi: Pra institucionalisht, ne si spektër politik kosovar çdo herë që kemi punuar dhe vepruar bashkërisht, kemi shënuar progres, kemi shënuar sukses, dhe ai sukses edhe është rezultuar në terren dhe ka rezultuar në të mirën e njerëzve të Kosovës. Kështu ka qenë edhe në Rambuje, kështu ka qenë edhe në procesin e Vjenës, dhe mendoj që tash pasi jemi në një fazë të rëndësishme të marrëveshjes historike me Serbinë, mendoj që do të ishte në interes që përsëri, bartësit e institucioneve, gjithë spektri politik i interesuar të participojë, gjithashtu shoqëria civile, personalitetet me ndikim në opinionin publik, mediat, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të bëhemi të gjithë së bashku dhe të punojmë bashkërisht për përmbylljen e këtij procesi, që do të nënkuptonte anëtarësimin e Kosovës edhe në OKB edhe në mekanizma të tjerë euroatlantikë. Prandaj, mendoj që të gjithë janë të interesuar që këto çështje të lëvizin më shpejt, më mirë dhe bashkërisht të mund të organizojmë definitivisht këto objektiva që janë jetike dhe historike për vendin tonë.
Së fundit, Qeveria e Kosovës ka tërhequr kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, a ishte ky reflektim i mungesës së mbështetjes ndërkombëtare?
Thaçi: Unë nuk kam ndonjë informatë apo raport zyrtar rreth aplikimit por edhe rreth tërheqjes eventuale për çka flisni ju. Do të informohem në detaje dhe më pas do të jap opinionin tim zyrtar. Por ajo që mund të them është se Kosova do të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë dhe është rrugë e pandalshme. Por, për gjithçka do të duhet të ketë një analizë të qartë dhe të ketë një përgjegjësi të lartë shtetërore edhe në rast të aplikimit dhe angazhimeve, por edhe në përpjekjet tona finalizuese për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë. Kosova meriton të jetë pjesë edhe e INTERPOL-it dhe e mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë dhe kjo gjë do të ndodhë.
Gjatë vizitës suaj në Nju Jork, sa keni arritur t’i takoni përfaqësuesit e shteteve dhe sa po arrini të afirmoni çështjen e njohjeve të reja, të domosdoshme edhe për t’i siguruar Kosovës një vend në OKB?
Thaçi: Kosova definitivisht do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në një proces që duhet të punojmë edhe më tutje. Për fat të keq ende Rusia e mban pozicionin e vet në raport me Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Por, pjesëmarrja jonë në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është mundësi e mirë që të bisedojmë me shtete që e kanë njohur Kosovën, për t’i falënderuar dhe të ruajnë vëmendjen për Kosovën. Po ashtu të diskutojmë me shtete që janë në proces të njohjes, që ta përshpejtojnë procesin e njohjes, por edhe me vendet hezituese me vendet refuzuese, për t’i sqaruar domosdoshmërinë në të mirën e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Ndalohen dy të rinj në Shkup, kapen me lëndë narkotike
Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Biblioteka e Kongresit në SHBA fillojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në shkëmbimin e materialeve
VLEN: Kemi rritur buxhetin për efikasitet energjetik në konvikte, po përmirësojmë jetën studentore
Policia në kërkim të dy personave nga Gjakova, kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e tyre
Vdekja e 13-vjeçares shqiptare që tronditi Italinë, autopsia zbardh të vërtetën
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
Arrestohen katër shtetas të Turqisë në Aeroportin e Prishtinës, dyshohet se prezantuan leje qëndrimi të falsifikuar
Shkeljet gjatë fushatës zgjedhore, PZAP gjobit me mijëra euro PDK-në, AAK-në dhe Koalicionin Vakat
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje
Edhe Daut Haradinaj reagon për Gjestin: Ai është një bir shqiptari
Loredana dhe Valbona nuk mund të këndellen nga ikja e Jozit prej BBVA, vazhdojnë të qajnë dhe vajtojnë teksa lexojnë letrën e tij
"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim
Katër shembuj të “mbështetjes së pafund” të Trumpit për Izraelin