LAJMI I FUNDIT:

Thaçi e quan rast të izoluar deportimin e shtetasve turq, kërkon hetim të hollësishëm

Thaçi e quan rast të izoluar deportimin e shtetasve turq, kërkon hetim të hollësishëm

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, thotë se është i zhgënjyer me dështimin e organeve të shtetit në rastin e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq.

Thaçi në një konferencë për media ka thënë se ka pranuar një raport të detajuar nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës për arsyen e arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasëve turq, që po qëndronin në Kosovë.


“Sipas AKI-së, arsyeja e vetme e arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq, ka qenë se ata kanë rrezikuar sigurinë kombëtare”, tha presidenti Thaçi, raporton Telegrafi.

Më tej Thaçi ka thënë se janë duke u bërë hetime të detajuara dhe derisa të përfundojnë këto hetime duhet të kemi kujdes se si po sillemi me organet tona shtetërore.

“Kjo çfarë ka ndodhur është një rast i izoluar dhe nuk mund të përdoret nga askush, për të sulmuar Kosovën për mos respektim të konventave ndërkombëtare. Por diçka e tillë uroj të mos përsëritet kurrë”, tha ai.

Ai ftoi komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-në që me urgjencë të hulumtojë këtë rast.

“Llogaridhënie duhet të ketë patjetër për të vërtetuar shkelje të ligjreve dhe procedurave. Mirëpo ne duhet të kujdesemi që siguria nacionale të jetë prioritet, por në asnjë rrethanë duke shkelur të drejtat e njeriut. Askush nuk guxon të persekutohet, apo deportohet për shkak se ka një ideologji apo bindje tjrtër”, tha ai.

Thaçi nuk tregoi nëse do të pranojë shkarkimin e drejtorit të AKI-së, Driton Gashi, pas vendimit të kryeministrit Haradinaj.

Ai lë të kuptohet se nuk do të pranojë shkarkimin e drejtorit të AKI-së, derisa të kryhet hetimi i plotë, nëse janë respektuar të gjitha procedurat e nevojshme. /Telegrafi/