LAJMI I FUNDIT:

Tetovë, shkolla fillore “Liria” mbetet pa çatinë e premtuar

Tetovë, shkolla fillore “Liria” mbetet pa çatinë e premtuar

Punimet për rikonstruimin e çatisë në shkollën fillore “Liria” në Tetovë që filluan para disa muajve, janë ndërprerë. Fillimi i vitit të ri shkollor po afron, ndërsa nxënësit e kësaj shkolle siç duket do ta fillojnë me problemet e vjetëra.

Zv.ministri i Arsimit, Visar Ganiu, premton rikonstruimin e çatisë deri në fillim të shtatorit. Ndërkohë që fajin për ndërprjen e punimeve e adreson deri tek projektanti i cili sipas tij nuk i ka parashikuar të gjitha pengesat që mund të paraqiteshin gjatë rikonstruimit.


Edhe nga Komuna e Tetovës, presin që kah fillimi i vitit shkollor të përfundojnë punët e parapara nga Ministria e Arsimit, e që më pas të mund të hapet tenderi për rikonstruim të shkollës në tërësi.

“Sa i takon investimeve nga Ministria e Arsimit ata para fillimit të vitit shkollor duhet ta përfundojnë me investimin që të mund komuna të fillojë me shpalljen tjetër publike, që është rinovimi i tërësishëm i objektit”, u shpreh Armend Fazliu, shef i kabinetit të Teuta Arifit.

Sipas informatave të Alsat-M në këtë shkollë fillore që prej 74 vitesh nuk është bërë asnjë investim./Telegrafi/Alsat/