Tërmeti që shkatërroi qytetet e Dardanisë
1507 vjet më parë: Tërmeti katastrofik i vitit 518 kishte shkatërruar sa hap e mbyll sytë 24 qytete-fortifikata të Dardanisë dhe në këtë kuadër është përfshirë dhe Ulpiana!
Nga: Jahja Drançolli
Nëpërmjet burimeve historike dhe kronikave të kohës, studiues të vëmendshëm kanë rizbuluar njoftime të ndryshme dhe në këtë kontekst edhe njohuri të rëndësishme në historinë e tërmeteve. Sipas njoftimeve në fjalë, në vitin 518 një tërmet katastrofik goditi Provincën e Dardanisë. Siç njoftoi Marcelin Komesi (Marcellinus Comes, c. 480-534), një kronist ilir i asaj kohe i lindur në rrethet e Shkupit, tërmeti kishte shkatërruar 24 qytete-kështjella sa hap e mbyll sytë. Midis tyre ishte edhe Shkupi (Scupi), metropoli i Provincës së Dardanisë. Në burimet relevante të kohës, ndër qendrat e shkatërruara përmendet edhe Ulpiana, e cila do të ristrukturohet tërësisht nga Justiniani I (527-565), perandor bizantin me origjinë dardane nga territori në fjalë. Që nga kjo kohë qyteti është quajtur Justiniana Secunda, qytet ky që aktualisht është duke u rizbuluar nga shkenca jonë e shoqëruar me atë botërore!
Teksti i Marcelin Komesit në përkthim të lirë mbi tërmetin e Provincës së Dardanisë në vitin 518:
Në Provincën e Dardanisë, njëzet e katër kështjella u shembën në të njëjtën kohë nga një tërmet i fortë. Prej tyre, dy u varrosën plotësisht së bashku me banorët e tyre, katër humbën gjysmën e ndërtesave të tyre së bashku me banorët, njëmbëdhjetë kishin një të tretën e shtëpive të tyre dhe po aq njerëz humbën, shtatë kishin një të katërtën e shtëpive së bashku me të gjithë banorët. Në fund, vendet fqinje u braktisën nga frika e shkatërrimit. Sepse, metropoli i Scupit [pra, Shkupi si qendër e Dardanisë, J. D.] u shkatërrua plotësisht, megjithëse nuk humbi asnjë nga qytetarët e tij që ikën para armikut të tyre [qytetarët e Shkupit në ndërkohë, para tërmetit kishin braktisur qytetin duke ikur nga armiku, J. D.]. Pjesa më e madhe e maleve të provincës u nda nga ky tërmet, gurët u shqyen nga masivet e tyre dhe pemët u shkulën. Nëpër një gjatësi prej tridhjetë milje toka u ça me një gjerësi prej dymbëdhjetë hapash dhe përgatiti një humnerë të thellë ku ranë shumë nga qytetarët që iknin nga rrënojat e kështjellave dhe shkëmbinjve, ose nga inkursionet e mëtejshme të armikut [...]!































