Një 20-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri të karabinierëve italianë, pasi tentoi të largohej me makinë gjatë një kontrolli policor. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në provincën e Pizës.

Autoritetet njoftuan se ndërhyrja e forcave të rendit u bë pas një telefonate nga një qytetare, e cila kërkoi ndihmë duke deklaruar se djali i saj i mitur po shantazhohej. Sipas denoncimit, të miturit i ishte marrë telefoni celular dhe autorët i kishin kërkuar një shumë prej një mijë eurosh për t’ia kthyer.


Kur patrulla mbërriti në vendngjarje, një nga të dyshuarit dyshohet se përplasi me makinë një karabinier dhe më pas u largua me shpejtësi të madhe. Gjatë ndjekjes, karabinierët qëlluan pesë herë me armë zjarri, duke plagosur 20-vjeçarin shqiptar me dy plumba.

Ai u transportua menjëherë në spital, ku sipas autoriteteve, gjendja e tij shëndetësore nuk është e rëndë.