Tensionet në Kuvend, PS kërkon masa disiplinore ndaj 2 deputetëve të PD-së

Partia Socialiste ka depozituar një kërkesë zyrtare për marrjen e masave disiplinore ndaj 2 deputetëve të Partisë Demokratike, pas tensioneve të forta që shoqëruan seancën e fundit plenare në Kuvend.
Sipas mazhorancës, situata degradoi kur përfaqësues të opozitës bllokuan foltoren dhe hodhën në drejtim të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, dokumente si Rregullorja dhe rendi i ditës.
Në dokumentin e paraqitur nga grupi parlamentar i PS, thuhet se gjatë rifillimit të seancës, kur kryeministri Edi Rama mori fjalën për të vijuar prezantimin e programit të qeverisë, deputetët Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu ndërhynë duke bllokuar foltoren.
Veprime të ngjashme, sipas PS, u kryen edhe nga deputetët Luçiano Boçi, Fidel Kreka, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Saimir Korreshi, Gent Strazimiri, Elda Hoti, Xhelal Mziu dhe Ledina Alolli.
Në kërkesën e firmosur nga deputetët socialistë theksohet se deputeti Gazment Bardhi, dhe më pas edhe Fidel Kreka, kanë kryer akte të papërshtatshme në drejtim të Kryetarit të Kuvendit dhe ministrave, duke përdorur mjete të forta, siç dëshmohet edhe nga pamjet filmike.
Në këto kushte, duke u mbështetur në Rregulloren e Kuvendit dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit, PS kërkon marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka si dhe mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, për të shqyrtuar rastin dhe vendosur masën përkatëse.
Kërkesa e plotë:
“Kërkesë për marrjen e masës disiplinore
Drejtuar: Z. Niko PELESHI
KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË
Neni 63, pika 1 gërma d), dhe neni 65/1 pika 1 gërma a), të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Neni 3, gërma ç), dh) dhe e), neni 6, neni 8, pika 2 gërma b) dhe neni 33 i Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
I nderuar Kryetar i Kuvendit
Seanca plenare e datës 18 shtator 2025 e Kuvendit të Shqipërisë me rend dite, miratimin e programit politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, përbën një nga momentet më të rëndësishme të legjislaturës.
Kjo seancë përbën aktin e parë institucional që përcakton drejtimin politik dhe përbërjen ekzekutive të qeverisjes së re. Në këtë kuptim, rëndësia e kësaj seance është e veçantë dhe kërkon nga çdo deputet respektim të plotë të detyrimeve parlamentare dhe një sjellje të përputhshme me standardet e dinjitetit dhe përgjegjësisë institucionale.
Referuar rendit të ditës, fjalën e mori Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama, për prezantimin e programit politik. Gjatë kohës që Kryeministri ishte në foltore për fjalën e tij, deputetët e opozitës filluan që përmes zhurmave, thirrjeve, rënies me dorë të tavolinave dhe duke u ngritur në këmbë, penguan fjalën që Kryeministri po mbante.
Në këto kushte bllokimi të fjalës së Kryeministrit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, në frymën e neneve 52 dhe 66 të Rregullores së Kuvendit, kërkoi pesë minuta pushim, me qëllim rikthimin në normalitet të seancës plenare, duke iu kërkuar deputetëve që po thyenin rregullin në sallë të reflektojnë.
Me rifillimin e seancës plenare, Kryetari i Kuvendit i dha fjalën përsëri Kryeministrit për të vijuar me prezantimin e programit politik.
Në këtë moment deputetët Gazmend Bardhi dhe Klevis Balliu u drejtuan drejt foltores dhe bllokuan folësin të vijojë fjalën e tij. Gjithashtu deputetët Luçiano Boçi, Fidel Kreka, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Saimir Korreshi, Gent Strazimiri, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Ledina Alolli, u drejtuan drejt foltores dhe bllokuan atë.
Deputeti Gazmend Bardhi goditi disa herë me mjete të forta (siç duket qartë në pamje) në drejtim të Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu dhe deputeti Fidel Kreka kreu në të njëjtën formë shkelje si deputeti Gazmend Bardhi.
Në këto kushte aspak normale për vijimin e seancës plenare, referuar Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit kaloi në procesin e votimit.
Sa më sipër, bazuar në nenin 63, pika 1 gërma d), dhe nenin 65/1 pika 1 gërma a), të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Nenit 3, gërma ç), dh) dhe e), neni 6, neni 8, pika 2 gërma b) dhe nenit 33 i Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:
Marrjen e masës disiplinore ndaj deputetëve Gazmend Bardhi dhe Fidel Kreka.Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore”. /euronewsalbania/


































