Situata është tensionuar sërish para Kryeministrisë, ku protestuesit e lëvizjes “Shqipëria Bëhet” janë përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit.

Përplasjet kanë ndodhur pasi policia ka ndërhyrë për të hequr çadrat që ishin vendosur më herët nga aktivistët në zonën e protestës. Si pasojë e ndërhyrjes, janë krijuar momente tensioni mes forcave të rendit dhe protestuesve.


Në pamjet e siguruara nga A2 CNN, shihen efektivët e policisë teksa përplasen me protestuesit, ndërsa kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, dëgjohet duke thënë: “Turp, turp-turp”.

Pamjet tregojnë gjithashtu protestuesit duke kundërshtuar ndërhyrjen e policisë dhe duke u përballur drejtpërdrejt me efektivët në terren.

Ende nuk ka informacion zyrtar për persona të lënduar apo të shoqëruar në polici, ndërsa situata vijon të monitorohet nga forcat e rendit.