LAJMI I FUNDIT:

Tensione në gjykimin e “Syrit të Popullit”, dëshmojnë Adem Grabovci, Elmi Reçica dhe Ramë Maraj

Tensione në gjykimin e “Syrit të Popullit”, dëshmojnë Adem Grabovci, Elmi Reçica dhe Ramë Maraj

Ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka deklaruar se për herë të parë për organizatën “Syri i Popullit”, kishte dëgjuar nga mediat, duke shtuar se nuk e din arsyen pse ndodhej në listën e saj për ekzekutim.

Ai ka thënë se asnjëherë se ka menduar se do të mund të ekzekutohej nga shqiptarët, ku sipas tij, krejt kjo situatë mund të jetë e manipuluar, me ç’rast ka deklaruar se do të ishte mirë të zbulohej se kush qëndron prapa.

Dëshminë e tij, Grabovci e ka dhënë në cilësinë e të dëmtuarit, i cili sipas prokurorisë, kishte qenë në listën e organizatës “Syri i popullit” për tu ekzekutuar.


Në këtë rast, për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, për vrasje të rëndë në tentativë si dhe vepra të tjera penale, akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.

Grabovci, ka qenë dëshmitari i radhës që në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar në gjykimin ndaj të akuzuarve në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, përveç Grabovcit, dëshminë e tyre e kanë dhënë edhe Elmi Reçica dhe Ramë Maraj.

Gjithashtu, ishin ftuar në cilësinë e dëshmitarëve edhe Fatmir Limaj, i cili nuk i ishte përgjigjur ftesës, ndonëse të njëjtën e kishte pranuar, ndërsa nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi, kishin njoftuar gjykatën se gjenden në udhëtim zyretar.

Adem Grabovci, ka thënë se ka pasur sulme dhe kërcënime ndaj tij.

“Unë kam pasur dy sulme dhe disa kërcënime, si vetura e djegur, dhe letra e pranuar në shtëpi, por ato i kam marr si kërcënime nga rivalët dhe unë kurrë nuk mund të gjendem në listën e Murat Jasharit për likuidim, duhet të zbulohet se kush qëndron prapa saj”, ka deklaruar Grabovci.

Ai ka thënë se nuk e din se pse ishte pjesë e asaj liste.

“Unë e di se kam qenë në listat e UTB-së, por nuk e di nëse i kam bërë keq ndonjë shqiptari, por gjithmonë kam pasur për qellim t’i ndihmoj shqiptarët, ndërsa pse jam në atë listë, edhe për mua është një pikëpyetje e madhe”, ka thënë Grabovci.

Ndërsa, lidhur me atë se “Syri i popullit” kishte marr përgjegjësinë për rastin e Azem Vllasit, po ashtu, ai ka thënë se ishte njoftuar nga mediat.

Dëshmitari Grabovci ka deklaruar se të akuzuarin Murat Jashari, e njeh që kur kishte jetuar në Zvicër, ku kishin bashkëpunuar lidhur me aktivitete të ndryshme.

Kurse, lidhur me pyetjen e prokurorit Sylë Hoxha, se a kishte lexuar librin e Murat Jasharit, “Lufta e pambaruar”, Grabovci ka thënë se nuk e kishte lexuar. Ai ka deklaruar se para luftës kishte pasur raporte shumë të mira, si me të ashtu edhe me familjen e tij.

Sipas dëshmitarit, Murat Jashari kishte parashtruar pyetje të ndryshme, për të cilat dëshmitari konsideron që ka qenë i manipuluar, dhe të njëjtat i kishte injoruar, ngase sipas tij ato kishin qenë qesharake.

Lidhur me të akuzuarit të tjerë, dëshmitari Grabovci ka thënë se nuk i njeh, duke shtuar se të akuzuarin Sadri Ramabaja e njeh pak.

Në pyetjen e të akuzuarit Ramabaja, meqë asnjë fakt nuk vërteton se ai ka qenë pjesë e organizatës “Syri i popullit” atëherë, pse i njëjti është para gjykatës, lidhur me këtë, Grabovci ka thënë se nuk është kompetent për të vlerësuar, arsyen pse ai gjendet këtu.

I akuzuari Halim Halimi, ka kërkuar nga dëshmitari Grabovci, të deklaroi se a mendon se Murat Jashari është i manipuluar dhe nëse po nga kush, me ç’rast ai është përgjigjur duke thënë se ka respekt shumë të madh për të dhe familjen e tij, para luftës, por ka thënë se nuk ka njohuri se çka ka ndodhur me të pas luftës.

Prokurori Special Sylë Hoxha, kundërshtoi në pyetjen e mbrojtëses Gashi-Bytyqi, lidhur me kundërshtimin e tij, reagoi mbrojtësi i të akuzuarit Ramabaja, avokati Ramiz Krasniqi, ku më pas prokurori Hoxha, iu drejtua me fjalët “mshele gojën ti rri qaty”.

Lidhur me këtë, gjykata mori aktvendim që avokatit Ramiz Krasniqi, t’i tërhiqet vërejtja me shkrim, për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë gjatë seancës, në rast të mospërfilljes, sipas kryetares së trupit gjykues Naime Krasniqi-Jashanica, do të ndërmerren masa të tjera.

Në cilësinë e dëshmitarit në seancën e së hënës, është dëgjuar edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçiça, i cili deklaroi se lidhur me organizatën “Syri i popullit”  kishte dëgjuar nga mediat.

Dëshmitari deklaroi se pas luftës, ishte takuar dy herë me Murat Jasharin, nën shoqërimin e personave të tjerë.

Lidhur me të akuzuarin tjetër Sadri Ramabaja, deklaroi se e njeh si emër, pasi që ai kishte qenë aktivist politik, i dënuar politik më herët, por që sipas tij, nuk kishte pasur kontakt me të.

Dëshmitari deklaroi se nuk e njeh as personin me emrin “Mona” e as Ragip Sallova.

Reçiça, deklaroi se lidhur me organizatën “Lëvizja për ribashkim kombëtar”, ishte njoftuar përmes mjeteve të informimit.

Dëshmitari, lidhur me atë se kishte qenë në listën për ekzekutim, tha se e kishte kuptuar nga hetuesit e krimeve të rënda, dhe më parë nuk kishte pasur informata.

I njëjti deklaroi se askujt nuk i kam borxh, duke shtuar se në vitin 1995, derisa e kishte nxjerr nga Kosova të akuzuarin Murat Jashari, ishte dënuar më 11 vite burg, si i burgosur politik, e që sipas tij këtu shihet “kush kujt i ka borxh”.

Dëshmitari deklaroi se informatat e tilla, askënd nuk e bëjnë të ndihet mirë, pasi që sipas tij kishin dëgjuar për përgatitje të atentateve nga Serbia, por jo nga personat të cilët i kishte ndihmuar dhe bashkëpunuar.

“Unë besoj se krejt kjo situatë, është e manipuluar, dhe do të ishte në interes të zbulohej kush e ka bërë”, ka thënë Reçica.

Në pyetjen e të akuzuarit, Halim Halimi, lidhur me atë se nga kush është manipuluar, që emri i tij të jetë i lakuar në këtë listë, dëshmitari deklaroi se nuk e din.

Ndërsa, lidhur me librin “Lufta e pambaruar” deklaroi se e kishte përcjellë në internet, por tha se atë nuk e ka shkruar i akuzuari Jashari, por persona të tjerë.

Reçica, deklaroi se para luftës, e kishte vizituar të akuzuarin Jashari dhe familjen e tij, kur Jashari kishte qenë në burg në Zvicë, dhe më vonë kishte kuptuar se i njëjti kishte qenë në spital neuropsikiatrik.

Në pyetjen e gjykatëses Naime Jashanica, se a ndihet i dëmtuar, dëshmitari deklaroi se nuk do të deklarohet deri në fundin e këtij procesi.

Në cilësinë e dëshmitarit, në seancën e së hënës, është dëgjuar edhe i dëmtuari Ramë Maraj, i cili ishte propozuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).

Dëshmitari Maraj, në pyetjen e prokurorit, Sylë Hoxha se a i njeh tani të akuzuarit, deklaroi se të akuzuarin Avni Llumnica nuk e njeh, ndërsa Murat Jasharin e njeh përmes shkrimeve në rrjetin social “Facebook”, në të cilat e kishte përmendur emrin e tij.

Lidhur me këtë deklaroi se disa herë kishte dashur t’i shkruante dhe t’i tregonte se familja e tij kishte humbur pesë anëtarë dhe t’i tregojë atij lidhur me informatat që sipas dëshmitarit, i kishte të gabuara.

Lidhur me atë se a kishte dëgjuar ndonjëherë për organizatën “Syri i popullit”, tha se kishte dëgjuar pasi rasti kishte dal në media, dhe në rrjete sociale. I njëjti deklaroi se gjatë kësaj periudhë, nuk kishte qenë i kanosur, as i kërcënuar.

Prokurori Hoxha, e njoftoi se dëshmitari kishte qenë në listën e të akuzuarve, respektivisht të organizatës “Syri i popullit” për tu ekzekutuar, ku Maraj deklaroi se nuk e dinte arsyen, mbase shkrimet nëpër gazeta kishin ndikuar që të njëjtit të kishin një bindje të gabuar për të.

Ai deklaroi se edhe sikur ta kishte plagosur Murat Jashari, do t’ia kishte falur, duke shtuar se nuk paraqet kërkesë pasurore juridike.

Në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit Murat Jashari, avokates Fehmie Gashi-Bytyqi, lidhur me atë se kur e kishte kuptuar se Jashari, ka qenë vëllai i dëshmorit, dëshmitari deklaroi se e kishte kuptuar kur kishte parë shkrimet për të.

Në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit Murat Jashari, avokates Fehmie Gashi-Bytyqi se a ka ekzistuar ndonjëherë organizata “Sigurimi i Atdheut”, dëshmitari deklaroi se ajo kishte qenë propagandë e Serbisë, dhe për dëshmitarin Maraj, nuk kishte ekzistuar.

Dëshmitari deklaroi se ai nuk është larguar nga filozofia e Ibrahim Rugoves dhe se për ketë arsyeje, sipas tij, nuk kishte dashur t’i kundërpërgjigjet shkrimeve të gazetave.  “Nuk preferoj të merrem me ata që dëshirojnë të merren me mu, por atë kohë t’ia kushtoj popullit”, ka thënë ai.

Në pyetjen e mbrojtëses Fehmiu-Bytyqi, se a kishte dhënë ndonjë deklaratë në polici a prokurori, dëshmitari deklaroi se nuk kishte dhënë, por mbrojtësja, paraqiti para gjykatës një procesverbal të marrjes në pyetje.

Në lidhje me këtë, dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet, por identifikoi se nënshkrimi është i tij, duke shtuar se policia kishte kërkuar nga ai që të mos tregonte se kishte dhënë deklaratë dhe se dëshmitari nuk e dinte nëse duhej të tregonte tani apo jo.

Ndërsa, në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, se a ishte interesuar lidhur me tashmë të akuzuarin Jashari, se nga vinte, e kush ishte, dëshmitari deklaroi se për familjet e dëshmorëve ka gjithmonë shumë respekt dhe nga momenti që nuk ka shkruar më, ai ka thënë se kishte menduar se kishte ndryshuar bindjen.

Në pyetjen e gjykatësit, Ismajli se a kishte pasur njohuri lidhur me arsyen e hyrjes në listën  e ekzekutimeve, Maraj tha se “me dit kam qef po nuk jam interesu”.

Seanca e radhës do të mbahet më 28 dhjetor, nga ora 9:00, ku pritet të dëgjohen edhe dëshmitarët e mbetur të propozuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjell nga Zvicra në Kosovë të akuzuarin Murat Jashari, e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral.

Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohet për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.

Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri Murat Jashari thuhet se kishte tentuar të vriste Azem Vllasin si ish-funksionar I cili sipas tyre ishte vlerësuar si i pari në listën e tradhtarit të vendit.

Me këtë, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144 I KPRK-së.

I pandehuri Bajrush Konjusha, akuzohet edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve “ pasi që me rastin e bastisjes në shtëpinë e tij ishte konfiskuar një pistoletë e gazit dhe një pushkë ajrore me diabolla 250 copë.

Ndërsa, Murat Jashari nga PSRK-ja, është duke u ngarkuar për veprat penale “hakmarrja” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se Jashari, duke qenë në gjendje të paaftësisë mendore për t’i kuptuar  dhe kontrolluar veprimet e veta për shkak të sëmundjes nga çrregullimi skizoafektiv-tipi maniak, me karakter të përhershëm, më 13 mars 2017 ka shkuar në banesën e të dëmtuarit Azem Vllasi në Prishtinë, që ta privoi nga jeta si ish0udhëheqës i lartë i LKJ-së dhe ish-udhëheqës i Kosovës, duke e konsideruar të njëjtin si tradhtar për shkak të qëndrimeve të tij lidhur me demonstratat e vitit 191 dhe çështjes kombëtare.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Jashari, fillimisht është interesuar që Vllasin ta angazhojë si avokat në çështje civile, ndërsa ai i ka thënë se nuk merret me çështje civile, duke e sugjeruar të drejtohet te një avokat tjetër dhe pas kontaktit të dytë me të, i akuzuari e ka nxjerrë pistoletën e tipit “Crvena Zastava”, me shurdhues duke ia drejtuar në ballë të dëmtuarit.

Me tej, prokuroria pretendon se Vllasi ia ka kapur pistoletën Jasharit dhe e ulur, që ka ndikuar që plumbi ta godet Vllasin në pjesën e majtë të kraharorit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Pas kësaj, Jashari kishte tentuar edhe njëherë të shkrep me armë në drejtim të viktimës por Jasharit iu kishte bllokuar arma dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes, për tu takuar me të pandehurin Avni Llumnica, për tu arrestuar nga polica në Motel “Fontana”, në Veternik.

Sipas aktakuzës, pasi policia kishte bërë një kontroll në motel “Fontana”, te Jashari ishte gjetur dhe konfiskuar një pistoletë e tipit “Crvena Zastava”, model 70 e kalibrit 70-65 mm, me shurdhues dhe një karikator me shtatë fishekë, që e ka përdorur pa leje. /BetimiPerDrejtesi/