Trajneri i Bayer Leverkusen dhe ish-trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka komentuar sërish përplasjen e famshme që pati me Cristiano Ronaldon gjatë kohës së tij në “Old Trafford”.

Sulmuesi portugez u largua nga United në fund të vitit 2022, pas një mosmarrëveshjeje të hapur me holandezin.


“Për mua, nuk është problem. Ai nuk ka qenë kurrë problem. Mendoj se i përket të kaluarës. Pas largimit të Ronaldos, fituam dy trofe me Manchester United dhe i uroj gjithë të mirat në të ardhmen” – deklaroi Ten Hag për mediat gjermane.

Megjithatë, deklaratat e tij lënë të kuptohet se trajneri ka një qëndrim më të qetë dhe diplomatik për ndarjen nga ylli portugez. Vetë Ronaldo ishte më i ashpër në fjalët e tij në një intervistë të mëparshme: “Nuk e respektoj Erik ten Hag sepse ai nuk më respekton mua”, kishte thënë ai.

Marrëdhënia mes dyshes u përkeqësua pas disa ndeshjeve ku Ronaldo mbeti në stol, gjë që sipas raportimeve nuk u prit mirë nga kapiteni i kombëtares së Portugalisë.

Kulmi erdhi pas një incidenti ku CR7 refuzoi të hynte si zëvendësues në minutat e fundit të një ndeshjeje kundër Tottenhamit.

Pas largimit nga Manchester United, Ronaldo iu bashkua Al-Nassr në Arabinë Saudite, ku ka shënuar dhjetëra gola dhe ka fituar disa trofe lokalë.

Ndërkohë, Ten Hag e mbylli aventurën e tij te United me dy kupa vendase përpara se të merrte drejtimin e Bayer Leverkusen në verën e vitit 2025. /Telegrafi/

telegrafi sport app