Telegrafi dhe Unioni i Turizmit të Kosovës nisin bashkëpunimin medial për promovimin e turizmit

Telegrafi.com dhe Unioni i Turizmit të Kosovës kanë zyrtarizuar një marrëveshje bashkëpunimi medial, e cila synon forcimin e informimit publik, edukimit dhe promovimit të turizmit si një nga sektorët me potencialin më të madh zhvillimor në Kosovë.
Marrëveshja vendos themelet e një partneriteti strategjik, përmes të cilit palët do të bashkëpunojnë në krijimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve mediatike, projekteve promovuese dhe aktiviteteve informuese që trajtojnë turizmin në të gjitha dimensionet e tij, si dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që ky sektor ka në ekonomi dhe biznes.
Në fokus të këtij bashkëpunimi do të jenë temat që lidhen me zhvillimin e turizmit vendor dhe ndërkombëtar, promovimin e eventeve dhe panaireve turistike, si dhe promovimin e iniciativave që kontribuojnë në rritjen e cilësisë, vizibilitetit dhe konkurrueshmërisë së ofertës turistike të Kosovës.
Angazhimi në projekte të tilla konfirmon misionin e Telegrafit për të qenë më shumë sesa një burim lajmi, një platformë që ndikon, orienton dhe kontribuon në zhvillime reale.
Nga ana tjetër, Unioni i Turizmit të Kosovës, përmes këtij bashkëpunimi medial, rrit zërin dhe prezencën e sektorit të turizmit në sferën publike, duke e bërë atë më të dukshëm, më të kuptueshëm dhe më të lidhur me qytetarët, bizneset dhe institucionet.
Kjo marrëveshje shënon nisjen, e ndërtuar mbi besimin dhe transparencën dhe paralajmëron një sërë aktivitetesh të organizuara nga Unioni i Turizimit të Kosoves, që do të kontribuojnë në ndërtimin e një narrative pozitive dhe të qëndrueshme për Kosovën si destinacion turistik.













































