Teatri “Bekim Fehmiu” nis projektin e ri teatror “InHumane” në bashkëprodhim ndërkombëtar

Teatri “Bekim Fehmiu” në Prizren ka njoftuar se ka filluar projektin e ri teatror “InHumane”, premiera e së cilës do të shfaqet në shtator të këtij viti.
Për këtë projekt është zhvilluar tashmë edhe faza e parë e audicionit.
Kjo shfaqje, sipas njoftimit, realizohet në bashkëprodhim me “Qendrën Multimedia” nga Kosova dhe “Maladype Theatre” nga Hungaria, dhe kësisoj përfaqëson njërën nga bashkëpunimet më ambicioze të teatrit për këtë vit artistik.
“Regjinë e shfaqjes do ta marrë regjisori i njohur hungarez Zoltán Balázs, një emër i spikatur në teatrin evropian. Balázs është themelues dhe drejtor artistik i teatrit “Maladype” në Budapest dhe ka fituar disa çmime prestigjioze ndërkombëtare. Ai ka realizuar produksione të suksesshme në Hungari, Gjermani, Francë, Rumani dhe SHBA, duke u vlerësuar për qasjen e tij inovative dhe estetikën eksperimentale në teatër”, thuhet në njoftimin e Teatrit “Bekim Fehmiu”, raporton Telegrafi.
Teksti i shfaqjes, sipas njoftimit, është duke u zhvilluar nga dy autorë të njohur të skenës kosovare: Jeton Neziraj dhe Shpëtim Selmani.
“Ky projekt është dëshmi e rritjes dhe zhvillimit të vazhdueshëm të Teatrit “Bekim Fehmiu”, i cili, nën drejtimin e drejtorit Burim Mustafa, vazhdon të ndërtojë ura bashkëpunimi me artistë dhe institucione ndërkombëtare, duke e pozicionuar teatrin e Prizrenit në hartën teatrore evropiane”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Teatri “Bekim Fehmiu” javën e shkuar ka filluar provat edhe për premierën e shfaqjes së titulluar “Komedia e Zezë” nga Pitër Shafer, me regji të Ilir Bokshit.
Premiera sipas këtij teatri është planifikuar që të jepet në javën e parë të qershorit të këtij viti. /Telegrafi/


















































