Te Tottenhami thonë se mund ta mposhtin PSG-në në finalen e Superkupës, pasi Chelsea i shkatërroi në Botërorin për Klube

Tottenham Hotspur shkon në finalen e Superkupës së UEFA-s me bindjen se mund të triumfojë ndaj Paris Saint-Germain, duke u mbështetur te fakti se Chelsea arriti t’i mundte bindshëm francezët në finalen e Kupës së Botës për Klube.
Të mërkurën (13 gusht), në “Stadio Friuli” të Udines në Itali, Spurs dhe PSG do të përballen për trofeun që vë përballë fituesit e Ligës së Kampionëve (PSG) dhe fituesit e Ligës së Evropës (Tottenham).
Sezonin e kaluar, PSG dominoi futbollin evropian duke mposhtur të gjithë rivalët — përfshirë Arsenalin, që e eliminuan në gjysmëfinale të Champions-it me fitore brenda dhe jashtë fushe, si dhe Interin, të cilin e shkatërruan 5-0 në finale.
Forma e tyre mbresëlënëse vazhdoi edhe në Kupën e Botës për Klube, ku kaluan lehtësisht Atletico Madridin, por në finale u ndalën nga Chelsea. Skuadra e Enzo Marescas u tregua superiore taktikisht dhe fizikisht, duke fituar 3-0 dhe duke marrë titullin botëror për klube.
Tottenham, megjithëse e mbylli Ligën Premier në vendin e 17-të sezonin e kaluar, arriti një rrugëtim surprizues në Ligën e Evropës, duke fituar finalen ndaj Manchester United për të siguruar trofeun e tyre të parë evropian.
Gjatë verës, londinezët ndryshuan trajner, duke shkarkuar Ange Postecoglou dhe emëruar Thomas Frank, ish-teknikun e Brentfordit. Optimismi brenda skuadrës është i dukshëm.
“Mendoj se në Kupën e Botës për Klube u pa që, ndonëse PSG luan disa ndeshje të jashtëzakonshme, ata nuk janë të pamposhtur, nuk janë të pathyeshëm”, tha mbrojtësi i Spurs, Ben Davies.
Megjithatë, përpara ndeshjes së së mërkurës, Tottenham mbetet autsajder i qartë, dhe krahasimi me Chelsean — kampionët botërorë — mund të jetë një risk në vetvete. /Telegrafi/








































