Të shtëna me armë në festën paszgjedhore në Han të Elezit, i pranishëm edhe kryetari Ballazhi

Mbrëmjen e datës 13.10.2025 – një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në komunën e Hanit të Elezit janë dëgjuar të shtëna me armë gjatë një feste me këngë e muzikë.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në Han të Elezit prin lista e udhëhequr nga kryetari aktual i komunës, Mehmet Ballazhi, i cili ka marrë 50.96% të votave.
Ky rezultat, që i jep epërsi Ballazhit në garën për kryetar, është pritur me festime nga një grup qytetarësh, ndërsa gjatë njërës prej festave të mbajtura në natën paszgjedhore janë dëgjuar edhe të shtëna me armë.
Një video-incizim i siguruar nga KALLXO tregon momente nga festa, ku shihet një person që nxjerr një armë, qëllon disa herë në ajër dhe më pas e fut armën në xhep.
Në prapavijë dëgjohet këngë festive, e cila sipas burimeve është kënduar për të shënuar rezultatin e lartë të listës së Ballazhit.
Videoja i është dërguar për koment edhe vetë kryetarit aktual të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi. Ai ka mohuar të ketë organizuar ndonjë festë, duke sqaruar se është ftuar nga disa bashkëqytetarë dhe se nuk ka pasur lidhje me të shtënat që janë dëgjuar gjatë mbrëmjes.
“Më kanë thirrë disa mërgimtarë, unë kam shkuar për t’i respektuar. Ka gjuajtur dikush, i kam dëgjuar të shtënat, por nuk më ka interesuar kush dhe si, sepse me gjasë ka qenë armë me gaz” – ka deklaruar Ballazhi.
Ai ka shtuar se rasti tashmë është duke u trajtuar nga Policia dhe Prokuroria dhe sipas tij, personi që shihet në video është identifikuar.
“Rasti është në trajtim nga organet e rendit. Me sa kam dëgjuar, është identifikuar personi. Ngjarja ka ndodhur parmbrëmë dhe nuk qëndron ajo që është thënë në rrjete sociale se unë kam organizuar ndonjë festë. Thjesht kam respektuar disa mërgimtarë që më kanë ftuar” – ka theksuar Ballazhi.
Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli konfirmoi se një rast është trajtuar për armëmbajtje pa leje në fshatin Seqishtë, në Han të Elezit.
Rasti është regjistruar më 13.10.2025 rreth orës 22:00.
“Lidhur me një informatë për armë mbajtje pa leje është kontrolluar shtëpia e të të dyshuarit mashkull k- shqiptar ku është gjetur dhe konfiskuar një revole me gaz. I dyshuari lirohet në procedurë të rregullt”- ka thënë Kanun Veseli më 15.10.2025.












































