Të rinjtë nuk bëjnë më seks - dhe unë e di pse!

Rregullat drastike të takimeve që Brezi Z ia vuri vetes, i bëjnë murgjit cistercianë të duken si hipikë të Vudstokut. Nga: Rowan Pelling / Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Po mendoj të nis një markë të brendshmesh aspak joshëse, të quajtura “Biznes i mbyllur”, që synojnë gjithë të rinjtë që kanë hequr dorë nga ajo që ne, qejflinjtë e vjetër, dikur e quanim “seks”. Më duket se po i afrohemi gjithnjë e më shumë një versioni real të romanit Fëmijët e njerëzve, nga P.D. James, ku një ngjarje misterioze e infertilitetit masiv e çon njerëzimin drejt shuarjes.
Nëse mendoni se po e teproj, hidhini një sy sondazhit më autoritativ në Britani për zakonet seksuale - Anketës Kombëtare të Qëndrimeve dhe Stileve të Jetës Seksuale, e cila që nga viti 1990 ka studiuar dhjetëra-mijëra britanikë. Kur studiuesit intervistuan moshat 16-40-vjeçare, zbuluan një rënie të qëndrueshme në numrin mesatar të “episodeve seksuale” gjatë tri dekadave të fundit. Në raportin e vitit 2020, gati një e katërta e Brezit Y dhe Z thanë se kishin qenë në celibat për një vit ose më shumë - duke lënë të kuptosh edhe një herë se rinia po kalon kot te të rinjtë. Dhe, kjo nuk është thjesht një ndjesi e zymtësisë britanike. Sondazhet e ngjashme në ShBA dhe në Francë kanë dalë me përfundime të njëjta.
Janë propozuar shumë teori për këtë thatësirë seksuale në Perëndim, por nga vëzhgimi im i vëmendshëm, rregullat e rrepta që të rinjtë ia caktojnë vetes po i bëjnë murgjit cistercianë të duken si hipikët e epokës së dashurisë së lirë.
Para dy javësh isha në një darkë, ku ne të rriturit e brezit të mesëm heshtëm kur dy të ftuar më të rinj - e dashura nga Zelanda e Re e djalit të madh të mikpritëses sime dhe djali im 21-vjeçar - filluan të flasin për takimet moderne. Ne, Brezi X, mbetëm të habitur kur mësuam se sot është jashtëzakonisht e çuditshme për një djalë të ri që t’i afrohet një vajze të re në jetën reale, me qëllimin për t’i bërë një kompliment. Kjo do të thotë se aplikacionet si Tinder janë mundësia e vetme për meshkujt - megjithëse vajza nga Zelanda e Re tha se ato nuk funksionojnë atje, sepse popullsia është aq e vogël saqë tashmë i njeh të gjithë beqarët potencialë në zonën tënde.
Na bëri kureshtar të dinim se si - me kaq pak hapësirë për veprim - ajo kishte arritur të krijonte një marrëdhënie. Ajo shpjegoi se Zelanda e Re është në thelb “një tollovi e madhe,” ku vetëm gratë mund të hedhin hapin e parë. Kështu që, pasi vuri re një djalosh të pashëm në një ndejë, iu afrua dhe i tha: “Më pëlqen shumë këmisha jote.” Por, edhe pasi “marrëveshja” realizohet, nevojitet një seri e ndërlikuar drejt intimitetit - si nivelet e pafundme të një loje elektronike - përpara se një çift i lumtur të pranojë se janë në një lidhje. Nëse e quan dikë “i dashuri” apo “e dashura” përpara se marrëdhënia të jetë bërë zyrtare, 20-e-ca-vjeçarët reagojnë sikur ke planifikuar një martesë të detyruar.
Kuptova se kjo gjendje ka përmbysur plotësisht dy shekuj urtësie të pranuar nga pena e Jane Austenit. Në romanin Abacia e Northangerit, Henri Tilni thotë se burrat kanë përparësi në zgjedhjen e partnereve për vallëzim dhe martesë: “Do të pranosh që burri ka avantazhin e zgjedhjes; gruaja vetëm të drejtën për të refuzuar.” Por, sot, gratë jo vetëm që janë në timonin romantik, por ruajnë të drejtën e plotë të vetos dhe ndjekin me rigorozitet rregullat strikte të takimeve.
Djali im më tha se nuk do t’i shkonte as në mendje të puthte një vajzë, pa marrë më parë lejen e saj. Kur tha këtë, të gjithë ne “të vjetrit” ulëritëm me tmerr, duke protestuar se nuk ka asgjë më tërheqëse kur një burrë pyet: “A mund të të puth?” Ne, gratë, donim të përfshiheshim nga pasioni i Clark Gableit në Përftoi me erën dhe të puthemi “nga dikush që di si të të puth.”
Djali më pa me një vështrim të rreptë dhe tha: “Nënë, ti vetë më ke thënë që askush nuk do t’i japë ndonjëherë një djali përfitimin nga loja, prandaj duhet gjithmonë të pyesësh vajzën nëse ndihet rehat me çdo lëvizje.” Fajtore jam dhe ende mendoj se është këshilla e duhur për këtë epokë të turbullt.
Përveç gjithë këtij ankthi rreth pajtimit - shtoi vajza nga Zelanda e Re - ekziston edhe “çështja e gjinisë fluide” për t’u menaxhuar. Djali im pohoi me kokë dhe na tregoi për shokun e tij që kishte pasur një takim të mirë, por që të nesërmen mbeti i vetmuar - për një grua më joshëse. Edhe pse shumica e shoqërisë mashkullore të djalit tim janë heteroseksualë “klasikë”, pishina e tyre e takimeve përfshin femra që janë shpesh biseksual, jo-binar, homoseksual ... Ndërkohë, disa lesbike të reja që njoh, thonë se opsionet e tyre për takime nuk janë aq të bollshme sa do të prisje nga numri i madh i vajzave që vetëidentifikohen si biseksuale - sepse disa vajza përdorin “gjendjen fluide” si një mënyrë për t’u tërhequr nga pritshmëritë e vrazhda të seksit të shekullit XXI, ku gjithçka është e modeluar sipas pornos në internet.
Nuk janë vetëm gratë që vuajnë nga ankthi i performancës - edhe djemtë e rinj janë të frikësuar në atë pikë sa humbin ereksionin. Në ShBA, një në katër meshkuj nën moshën 40-vjeçare vuan nga disfunksioni erektil. Kjo lidhet gjithashtu me një rritje të fortë të problemeve të shëndetit mendor dhe përdorimi i ilaçeve kundër depresionit - të cilat mund të ulin dëshirën seksuale.
E gjithë kjo të bën të ndjesh mall për “ditët e mira të këqija” të fillimviteve ’90 të shekullit XX, kur një aktoreje që unë njihja, në bar iu afrua në djalë që i vuri duart pas qafës dhe filloi t’i shpaloste lëvizte flokët. “Çfarë po bën?”, i tha ajo e habitur. “Vetëm po shoh si do të dukej fytyra jote mbi jastëkun tim,” - u përgjigj ai me buzëqeshje.
Po, shpesh njerëzit ofendoheshin, por kishte edhe humor dhe gëzim nga amatorizmi seksual. Kimia dhe dëshira për të qenë aty ishin shpesh më të rëndësishme se ndonjë përvojë teknike. Dhe, më e rëndësishmja, atëherë të gjithë pinin alkool - gjë që bënte të mundur që çiftet të përfundonin në përqafime pa u shqetësuar nëse kishin plotësuar çdo opsion në formularin e “policisë së seksit.” S’mund të mos mendoj se ne, veteranët, shijuam më të mirën e revolucionit seksual, ndërsa të rinjtë tanë mund të tërhiqen aq shumë nga intimiteti trupor, sa të përballen me zgjedhje të vështira: celibat ose robotë seksualë. /Telegrafi/

















































