LAJMI I FUNDIT:

Të rinjtë e vonuar të letërsisë shqipe

Të rinjtë e vonuar të letërsisë shqipe

Nga: Luljeta Nelallari

Cili është libri i fundit që keni lexuar nga një autor i ri shqiptar? A ka në bibliotekën tuaj libra nga autorët e rinj të letrave shqipe dhe sa i njohim ne ata?

Kjo është pyetja që kritikët apo studiuesit e letërsisë bëjnë shpesh për të kuptuar jo vetëm autorët e rinj që kanë spikatur në skenën letrare, por dhe prirjen e lexuesit sot.


Letërsia shqipe, për shkak të kushteve të vështira historike, ka lindur përgjithësisht me vonesë dhe ka notuar në ujëra jo të qeta. Shumë fenomene dhe dukuri letrare u përballën me realitete të ndryshme historike, para dhe pas viteve 90-të. Pas 90-ës brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste dhe liria në shkrim u shoqërua edhe me një dyndje veprash letrare.

Por, cilët janë autorët e rinj sot dhe cili është fokusi i krijimtarisë së tyre? Sa lexohen e sa janë prezent në skenën letrare në vend? Për të shtjelluar këtë temë Gazeta “Si” ka folur me botues dhe shkrimtarë, të cilët sjellin një tablo më të qartë të asaj çfarë ndodh me shkrimtarët e rinj sot.

“Nuk besoj se çështja e leximit apo e mosleximit është e lidhur vetëm me autorët e rinj. Ky është një debat shumë i gjatë dhe kërkon argumentim serioz. Ka autorë të gjeneratës sime që nuk i lexon kush, nuk janë në librari, disa prej tyre të glorifikuar, të vlerësuar me çmime, të përkëdhelur me fonde e gjithfarë benefitesh, por nuk i lexon njeri. Sepse promovimi i tyre nuk ka ndjekur rrugën normale, promovimin përmes kritikës serioze”, shprehet shkrimtarja dhe botuesja Flutura Açka.

Për të çështja e leximit është e lidhur ngushtësisht me promovimin dhe kritikën.

“Lexuesi bie viktimë e publicitetit, e merr, e lexon, zhgënjehet dhe identifikon me të tërë letërsinë shqipe. Pak autorë ia kanë dalë të mbeten me autoritet pas këtij kaosi vlerash. Të njëjtin fat kanë edhe autorët e rinj, nuk i lexon dhe promovon njeri, sepse askush nuk paguhet, dhe as ka detyrimin, qoftë moral të merret me ta. Kritika akoma merret me të vdekurit, sepse nuk e ndjek fare letërsinë e re. Ne, brezi pas 90-ës kishim të paktën një klub Lidhjeje Shkrimtarësh, ku kemi takuar bujarë dhe patriotë që e kishin sensin e vazhdimit të letërsisë, siç Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Ilirian Zhupa që kanë promovuar autorë të rinj asokohe, pasi nuk kanë pasur asnjë përkeqje nëse të rinjtë do t’ua zënë vendin. Sot është një panoramë tjetër, gati mjerane, dhe aty duhet të barabiten edhe të rinjtë”, vijon Açka.

Por, përkundër panoramës që mbizotëron te autorët në përgjithësi, ajo nuk është krejt mohuese, pasi sipas saj ka autorë të rinj që vlerësohen dhe promovohen.

“Megjithatë, që të mos jemi krejt mohues, disa autorë të rinj janë vlerësuar dhe promovuar, unë së paku për disa prej tyre e kam dhënë votën time kur kam mundur”, shprehet shkrimtarja Flutura Açka.

Shkrimtarja Vera Bekteshi e sheh letërsinë e re jo të shkëputur nga e vjetra, në vazhdën e saj, por me atributin e lirisë në të shkruar.

Për Bekteshin letërsia e sotme është më e pasur, si pasojë edhe e shkrimtarëve të diasporës.

“Nëse letërsi të re shqipe do të quanim atë pas viteve ‘90 do të thosha se epiteti i përdorur në këtë rast nuk është fort i saktë. Asgjë nuk lind nga asgjëja dhe shkrimtarët ‘e vjetër’ vazhduan të shkruajnë së bashku me të rinjtë, tashmë në liri. Veçse liria ka kosto të lartë sepse s’ka kufizime prapa të cilave edhe mund të fshiheshe. Sa i takon letërsisë së tashme ajo pa dyshim është më e pasur se e kaluara edhe prej shkrimtarëve të diasporës”, shprehet Bekteshi.

Çështjen e leximit të autorëve të rinj, Bekteshi e lidh me të panjohurën, e si e tillë është e vështirë edhe të pranohet.

“Nuk mendoj se shkrimtarët e rinj nuk lexohen, por në letërsi sikurse në çdo fushë e panjohura është e vështirë të pranohet”, përfundon ajo.

“Mosleximi nuk është një çështje që prek vetëm shkrimtarët e rinj, por dhe letërsinë shqipe. Autorët shqiptarë janë gjithnjë e më pak të kërkuar nga lexuesi, e pse vitet e fundit kemi pasur autorë dhe vepra në gjuhën shqipe që kanë pasur lexueshmëri”, thotë Alda Bardhyli, drejtore e botimeve “UET Press”. Duke iu referuar Konkursit Kadare, ajo thotë se edicioni i fundit i këtij konkursi u dominua nga autorë të rinj. “Ekziston një numër jo i vogël të rinjsh që e kanë lidhur ëndrrën e tyre me shkrimin. Në edicionin e 5-të të çmimit Kadare, më shumë se 30 dorëshkrime i përkisnin emrave të rinj në letrat shqipe. Vetë fituesi i këtij edicioni, Loer Kume ishte një shkrimtar që përfaqësonte gjeneratën e re”, thotë ajo.

Por pyetja që Bardhyli ngre është se cilat janë ambiciet e kësaj gjenerate? Sa e përballojnë ata tregun?

“Çdo dekadë shoqërohet me emra të rinj në letrat shqipe. Sfida e autorëve të rinj është bashkëkohësia dhe konsekuenca. Pjesa më e madhe e tyre nuk botojnë më pas librit të parë. Janë shumë arsye që i çojnë ata të heqin dorë nga letërsia, që lidhen me tregun, mbështetjen e munguar nga botuesit, marketingu, etj. Të parit e letërsisë si qëllim është shumë e rëndësishme, e duhet të jetë fokusi drejt suksesit për të vijuar këtë rrugë”, thotë Bardhyli.

Botuesi i “Onufrit”, Bujar Hudhri, shikon një mungesë të leximit të letërsisë shqipe në përgjithësi dhe jo vetëm të rinjtë.

“Letërsia e të rinjve sot nuk lexohet, për arsyen e thjeshtë, sepse ajo është pjesë e letërsisë shqipe, e cila gjithashtu nuk lexohet. Madje, duke qenë pjesa më e brishtë e saj, e ka shumë të vështirë në një realitet që po bëhet çdo ditë edhe më indiferent për to. Shkoni në librari dhe kërkoni autorë shqiptarë: librarët me përjashtim të Librarisë Adrion, nuk i pranojnë librat e tyre”, shprehet botuesi Hudhri.

Hudhri leximin e lidh edhe me mungesën e hapësirës nëpër televizione të kësaj pjese të kulturës, duke bërë që të tkurret dhe numri i lexuesve të letërsisë shqipe.

“Televizionet kombëtare merren edhe me intimitetet më banale nga jeta e këngëtarëve, po kurrë nuk do të shikoni një emision për librin, sidomos të autorëve të rinj. Periodikët letrarë janë të pakët dhe hapësirat e tyre janë të pamjaftueshme për të përcjellë krijimtarinë e shkrimtarëve të rinj. Të mos harrojmë propagandën për punësimet jashtë vendit dhe mijëra të rinj i bashkohen emigracionit tridhjetëvjeçar shqiptar. Nga këto mijëra që ikin, a nuk janë ato lexuesit e mundshëm, të natyrshëm të letërsisë shqipe? Sigurisht, por është e drejta e tyre të kërkojnë një jetë më të mirë, por ndërkohë kjo e zvogëlon e dhe me shumë rreshtin e lexuesve të letërsisë shqipe”, shprehet për Gazetën “Si” botuesi i “Onufrit”.

Çështjen e leximit të autorëve të rinj, botuesi po ashtu e lidh edhe me nivelin e studentëve të letërsisë, pasi në këtë mënyrë nuk afirmohen autorë që e meritojnë të dalin në pah dhe të lexohen.

“Një vështirësi tjetër me të cilën ndeshen shkrimtarët e rinj është niveli i shkollës sot, i fakulteteve të gjuhë letërsisë, ku shkojnë nxënësit më të dobët nga shkolla e mesme. Janë pikërisht po këto nxënës që pas disa vitesh ato do t’i japin këto lëndë në shkolla, do të duhet të nxisin leximin e librave, etj. Ndaj roli i botuesve merr një rëndësi të posaçme, por kjo kërkon prej tyre më shumë vëmendje, profesionalizëm, dashamirësi por edhe risk, që të shpien te lexuesi ato libra që e meritojnë të veçohen e t’i bashkohen shkrimtarëve të afirmuar të letrave shqipe”, përfundon Hudhri. /Gazetasi/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
145

145

Poezi
Art me letër

Art me letër

Kulture
REFLEKTIME

REFLEKTIME

Poezi
Kalo në kategori