Të paktën tre të vdekur dhe 13 të lënduar nga shpërthimi në një pallat apartamentesh në Bukuresh të Rumanisë

Një shpërthim i fuqishëm shkatërroi dy kate të një pallati apartamentesh në kryeqytetin e Rumanisë të premten, duke humbur jetën tre persona dhe duke lënduar të paktën 13 të tjerë, thanë autoritetet.
Shpërthimi preku katin e pestë dhe të gjashtë të ndërtesës tetëkatëshe, sipas Inspektoratit për Situata Emergjente të kryeqytetit, transmeton Telegrafi.
"Të paktën 500 persona nuk do të jenë më në gjendje të hyjnë në shtëpitë e tyre. Bashkia, të gjithë kryetarët e bashkive të rretheve, prefektura, të gjitha këto struktura janë mobilizuar. Ne kemi një plan të fortë që po e zbatojmë ndërsa flasim", tha kryebashkiaku i përkohshëm i Bukureshtit, Stelian Bujduveanu.
Dhjetëra automjete emergjente, duke përfshirë 11 zjarrfikëse dhe katër njësi mobile të kujdesit intensiv, u dërguan në vendin e shpërthimit në Calea Rahovei në Sektorin 5 të Bukureshtit.
Shkaku i shpërthimit fatal nuk ishte menjëherë i qartë, por autoritetet thanë se furnizimi me gaz ishte ndërprerë në zonë si një masë paraprake sigurie.
Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë tha se viktimat ishin raportuar me politraumë dhe djegie.
Ministria më vonë tha se një person u gjet i vdekur nën një pllakë betoni në katin e gjashtë të ndërtesës. Të paktën 13 persona u transportuan në spitalet në kryeqytet.
Të gjithë banorët u evakuuan nga ndërtesa dhe ekipet e shpëtimit kryen operacione kërkimi, për të identifikuar të gjithë të bllokuarit.
Nxënësit dhe mësuesit në një shkollë aty pranë u evakuuan gjithashtu si masë paraprake, tha Inspektorati Shkollor i Bukureshtit.
Kryeministri Ilie Bolojan tha se blloku i prekur nga shpërthimi do të duhet të shembet. /Telegrafi/
- YouTube www.youtube.com


















































