Në këtë video shihet se si të rinjtë, të cilët ishin nisur për një udhëtim me biçikletë nëpër bjeshkët e Rugovës, mirëpo rrugëtimi i tyre ishte ndërprerë nga polica kufitare malazeze, raporton KTV.

Pavarësisht se ngjarja kishte ndodhur në qershor të këtij viti, para se dy shtetet të nënshkruanin marrëveshjen e demarkacionit, këta të rinj insistojnë se ndalimi i tyre nga policia malazeze u bë brenda territorit të Kosovës.


Leorent Kelmendi, njëri nga biçiklistët, tregon se si u ndalën brenda territorit të Kosovës, më saktësisht në Kuçishtë të Rugovës.

Raportimeve ndaj kësaj ngjarjeje iu përgjigj edhe Policia e Kosovës, e cila, përmes një sqarimi për media, ka thënë që ky rast ka ndodhur në qershor të këtij viti dhe se ndalimi është bërë në distancë rreth 50 metra në thellësi të kufirit që e ndan Kosovën me Malin e Zi. Sipas tyre, biçiklistët nuk kanë kërkuar leje për kalim kufiri nga asnjëra palë, prandaj edhe janë ndaluar sepse kanë bërë kalim të paligjshëm, thuhet ndër të tjera.

Por, Kelmendi thotë se kjo dëshmon se Kosova ka kohë që e ka humbur atë pjesë të saj.

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e kufirit javën e kaluar në Samitin e Vjenës, transmeton Koha.net.

Kjo vijë kufitare po kundërshtohet nga opozita dhe banorët e zonës së Rugovës, të cilët po e akuzojnë Qeverinë se i ka falur Malit të Zi rreth 12 mijë hektarë tokë, e që një gjë të tillë vazhdimisht e kanë mohuar krerët e Qeverisë së Kosovës.