LAJMI I FUNDIT:

Të gjithë mund të bëjmë pjesën tonë për të shpëtuar jetë fëmijësh

Të gjithë mund të bëjmë pjesën tonë për të shpëtuar jetë fëmijësh

Nga: L.Baleta – Vullnetare nga Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë

Disa vite më parë, isha në kërkim të një kauze ku të kontribuoja si vullnetare. Nevojat sociale në Kosovë ku mund të ndihmojmë janë të shumta: kujdesi për të moshuar, puna me komunitete të margjinalizuara, gra në gjendje të vështirë.

Nuk është vendim i lehtë të gjesh përputhjen ndërmjet nevojave ekzistuese në shoqëri me atë që mund të ofrojmë, me kohën në dispozicion dhe me atë që jemi në gjendje të bëjmë.

Në atë periudhë nisa të mbledh më shumë informacion për foshnjet e lindura para kohe dhe për fëmijët që luftonin me sëmundje të rënda. Të krijohet ndjesi ankthi kur provon vetëm ta mendosh se sa ngarkesë e madhe emocionale dhe financiare është për familjet kur nuk kanë mundësi t’ia lehtësojë dhimbjet dhe vuajtjen fëmijës.

Kur dëgjon histori të vërteta për sfidat që ka sistemi i kujdesit shëndetësor t’u vijë në ndihmë nënave dhe fëmijëve të cilëve u duhet përkujdes mjekësor të specializuar dhe të kushtueshëm, të bën të kuptosh se sa shumë njerëz kanë nevojë për ndihmën tonë.

Ashtu si ndodh shpesh, në çastin kur bëhemi të vetëdijshëm për një nevojë, na shpaloset pak e nga pak mënyra se si mund të japim ndihmë. Brenda pak javësh, nga tre burime të ndryshme kuptova për punën dhe misionin e Fondacionit Aksioni për Nëna dhe Fëmijë www.amchealth.org

Fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (Fondacioni) është organizatë jofitimprurëse që ka si qëllim kryesor të shpëtojë jetët e fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Këtë e arrin përmes programeve të veta, edukimit të pacientëve dhe ofruesve të shërbimeve të kujdesit mjekësor për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve, hulumtimit dhe studimeve për të identifikuar mangësi në sistem, avokimit për shëndet më të mirë dhe përmes furnizimit të spitaleve dhe shtëpive të shëndetit me medikamente dhe pajisje mjekësore.

Duke lexuar për punën e Fondacionit, mund të kuptohej se sa sfiduese është në aspektin financiar të sigurohet mbështetja e duhur për të gjithë fëmijët dhe nënat në nevojë. Paratë nuk janë asnjëherë mjaft për të blerë të gjitha shishet me medikamentin Survanta që u ndihmon foshnjeve të lindura para kohe të zhvillojnë mushkëri të shëndetshme, apo për të blerë një autoambulancë që u mundëson foshnjeve qasje në shërbime mjekësore më të mira në spitalin publik të kryeqytetit, apo për të hapur një tjetër qendër informuese për gratë që presin të bëhen nëna.

Mrika Aliu, Drejtoresha Ekzekutive e Fondacionit tha “Ne kryesisht i sigurojmë fondet nga donacionet e korporatave, grantet dhe individët që dhurojnë vazhdimisht shuma më të vogla përmes platformës tonë online apo përmes ndërmarrjes sociale që kemi themeluar. Si OJQ, ne kemi nevojë të vazhdueshme të rrisim burimin e të hyrave për të zhvilluar programe të reja dhe për t’u zgjeruar”.

Në vitin 2015, një profesionisteje të re nga bota e medias dhe marketingut i lindi një ide e shkëlqyer se si ta ndihmonte Fondacionin të siguronte më shumë fonde, por përmes një formati tërësisht të veçantë.

Ajo vendosi të organizonte një festë vallëzimi, me muzikën më të mirë nga artistët e Kosovës dhe në këtë festë t’i ftonte të gjithë. Me përkrahjen e mentorit të saj në atë kohë Michael Gold nga Crimson Capital, në dhjetor të vitit 2015 lindi lëvizja “Let’s Dance” që tashmë është shndërruar në një festë tradicionale të përvitshme në Prishtinë. Gjatë tre festave Let’s Dance të organizuara deri tani, mjetet e siguruara nga sponsorët dhe shitja e biletave janë përdorur 100% për programet e ndryshme të Fondacionit.

Ndërsa jeni duke lexuar këtë rrëfim, diku në Kosovë, një fëmijë ka nevojë për ndihmën tonë – për ndihmën tënde – që të luftojë kundër sëmundjes që i kërcënon jetën. Secili nga ne mund të japë diçka për të ndihmuar dhe për t’ia shpëtuar jetën këtij fëmije. Mund të tregohemi bujarë me kohën tonë, me rrjetin e të njohurve që kemi, me punën dhe me paratë tona. Një herë në vit, mund ta përballojmë të vallëzojmë për nënat dhe fëmijët!

Të premten e ardhshme do t’ju sjellim rrëfimin se si lindi Let’s Dance.

Për të vazhduar misionin e vet të shpëtimit të nënave dhe fëmijëve, Fondacioni mbështetet tek bujaria juaj.

Këtë vit, festa për mbledhje të fondeve “Let’s Dance” mbahet me 1 nëntor 2018 në Sheshi 21 në Prishtinë. Për të marrë pjesë ose për të dhënë kontributin tuaj, ju lutemi të kontaktoni me Fondacionin Aksioni për Nëna dhe Fëmijë: info@amchealth.org, me telefon +38649685943 ose +38138748309 ose të dhuroni përmes http://www.amchealth.org/amchealth/

Artikull i sponsoruar