Ylli i Real Madridit, David Alaba, ishte një nga emrat që u përmend si një mundësi largimi nga klubi gjatë muajve të fundit, për shkak të dyshimeve mbi rolin e austriakut nën drejtimin e Xabi Alonsos.  

Mbrojtësi veteran tani është rikthyer nga një dëmtim pas një ndërhyrjeje të tretë kirurgjikale në dy vite. 


Alaba ishte titullar i padiskutueshëm nën urdhrat e Carlo Ancelottit, para se të pësonte një dëmtim serioz të ligamentit në gju, i cili kërkonte një ndërhyrje të dytë për t’u rikuperuar. 

Katër muaj pas rikthimit, Alaba pësoi sërish një dëmtim në gju që kërkoi operacion në prill. 

‘Los Blancos’ duket se po hedhin bast te e ardhmja e Eder Militao dhe Dean Huijsen, dhe raportohet se këtë verë i kanë ofruar Alabas mundësinë për të ndërprerë marrëveshjen me klubin. 

Gjithashtu u përfol se 33-vjeçari ishte objekt i disa ofertave. 

Në javët e fundit ai u lidh me një kalim në Turqi dhe në Serie A, por para ndeshjes së Austrisë kundër Qipros, Alaba u përgjigj prerë për thashethemet e largimit. 

“Kam qenë në futboll mjaft gjatë sa thashethemet janë pjesë e këtij biznesi. Fatmirësisht, nuk i përziej shumë dhe qesh shumë, sepse asnjëra prej tyre nuk ishte e vërtetë, ishin të gjitha gënjeshtra”. 

Alaba ende nuk ka luajtur nën drejtimin e Xabi Alonos, dhe ka dyshime mbi aftësinë e tij për të konkurruar për një rol titullari këtë sezon. Megjithatë, ai duket i sigurt për gjendjen e tij fizike. 

“Ndjehem mirë tani, kam bërë shumë përparim kohët e fundit. Mendoj se mund të luaj 90 minuta me kombëtaren”. 

“Do të shohim si ndihem në ndeshjet e ardhshme. Qëllimi im është të luaj dhe të jem në fushë”, përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app